Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në lidhje me vendosjen e zjareve në Fier.
Në fshatin Eskaj, Lushnjë, u arrestua shtetasi K. B., 60 vjeç, i cili u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në tokën e marrë me qira prej tij; Në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas, shtetasi E. S., 25 vjeç, banues në Fier, u arrestua pasi dyshohet si autor i zjarrvënies në grykëderdhjen e lumit Seman, ku zjarri ka përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.
Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shkak të moshës, dy shtetas, përkatësisht 71 dhe 77 vjeç, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre, në fshatin Varibop, Fier, dhe në fshatin Çërrilë, Mallakastër. Si pasojë e erës së fortë, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, në ngarkim të shtetasve të mësipërm.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe do të përballen me përgjegjësi ligjore.
