Intelektuali i njohur francez dhe një nga figurat më të rëndësishme të mendimit bashkëkohor, Edgar Morin, është ndarë nga jeta në moshën 104-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga bashkëshortja e tij, Sabah Abouessalam Morin, e cila e përshkroi humbjen si të madhe për botën intelektuale. Sipas saj, Morin mbeti deri në fund i angazhuar dhe i vëmendshëm ndaj zhvillimeve globale dhe çështjeve kryesore të shoqërisë moderne. “Ai deri në ditët e fundit qëndroi i lidhur me botën dhe me njerëzit. Boshllëku që lë pas është i madh, por mendimi dhe guximi i tij do të vazhdojnë të na udhëheqin,” u shpreh ajo.
I lindur në Paris në vitin 1921 nga një familje emigrantësh hebrenj me origjinë greke, Morin nisi karrierën si sociolog, por më vonë e përkufizoi veten si “humanolog”, duke ndërthurur fusha të ndryshme si filozofia, psikologjia, biologjia dhe antropologjia në studimin e natyrës njerëzore.
Ai njihet gjithashtu për kontributin e tij në zhvillimin e dokumentarit modern, veçanërisht përmes filmit “Chronique d’un été” të vitit 1961, realizuar së bashku me Jean Rouch, i cili konsiderohet si një pikë kthese në stilin e “cinéma vérité”. Gjatë dekadave, Morin u shqua si një zë kritik në debatin publik francez dhe ndërkombëtar, duke paralajmëruar për rreziqet e globalizimit, krizës klimatike dhe rritjes së nacionalizmit. Edhe në moshë të thyer, ai vijoi të komentonte zhvillimet aktuale, përfshirë pandeminë, valët ekstreme të të nxehtit dhe konfliktet ndërkombëtare.
I njohur për identitetin e tij kompleks kulturor dhe filozofik, Morin shpesh theksonte se ndihej njëkohësisht francez, mesdhetar dhe qytetar i botës. Për shumë studiues, ai mbetet një nga figurat më me ndikim në mendimin bashkëkohor europian dhe një referencë e rëndësishme e filozofisë moderne.
