NGA: ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
800 gr fileto peshku
3 speca me ngjyrë
4 thelpinj hudhër
300 gr qepujka të thata
2 gjethe dafine
2 degë rozmarinë
1lç trumzë
200 gr domate në kuti
300 gr patate
Kripë, piper i zi
½ gotë vaj ulliri
1 kokërr portokall
Lëngu i 1 limoni
1 gotë lëng perime
70 gr ullinj të zi
Përgatitja
Fillimisht parapërgatisim përbërësit duke prerë specat pasi i kemi larguar farat në copa të mëdha. Qërojmë qepujkat dhe hudhrat në feta ose në gjysma.
Më pas qërojmë patatet dhe i presim në feta të trasha. Shtojmë kripë, piper, një filxhan kafeje vaj ulliri dhe i përziejmë mirë. I spërkasim patatet me erëza të freskëta dhe i vendosim në një tavë.
Portokallin e lajmë mirë dhe e presim në feta të holla ndërsa limonin e shtrydhim.
Në një tas përziejmë specat e kuq me hudhrën, qepujkat, gjethet e dafinës, fetat e portokallit, domatet, ullinjtë, vajin e mbetur të ullirit, lëng limoni, kripë dhe piper. Të gjitha këto perime i shpërndajmë mbi patate. E vendosim më pas tavën në furrë në temperaturën 220 gradë Celsius për 20 minuta.
Ndërkohë peshkun pasi e kemi larë mirë, e thajmë me letër kuzhine dhe e spërkasim me kripë. Nxjerrim tavën nga furra dhe vendosim filetot e peshkut duke i mbuluar me pak perime dhe me lëng perimesh me qëllim që të mos thahen. Vendosim tavën në furrë dhe për 15 minuta të tjera.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: