Emisioni “Në Shënjestër” në News24, në një dokumentar të transmetuar për portin e ri të Porto Romanos, tregoi një tjetër panoramë të zgjeruar mbi tenderat e zhvilluar deri më tani.

Ashtu si dhe kostot e  ndërtimit dhe hijet e dyshimit mbi kompanitë që fshihen pas kësaj afere.

Në histori që fillon në qershor të vitit 2021.

Koha kur Autoriteti Portual Durrës, hapi tenderin me objekt ‘Hartimi i Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano’.

Vlera e fondit limit për këtë tender që ishte 1 145 354 370 apo rreth 11 milionë euro pa TVSH.

Garë ku morën pjesë 14 kompani dhe bashkime operatorësh. Dhe që në fund fituese e projektit u shpall bashkimi i operatorëve ‘Haskoning DHV Nederland B.V & Adec Engineering Consultancy L.L.C & Abkons Sh.P.K. & Taulant Sh.P.K & Geo-Eng Sh.P.K.’.

Bashkim operatorësh të cilët ofruan 11.4 milionë euro me TVSH.

Kontratë midis Portit të Durrësit dhe grupit të kompanive që u shpallën fituese, e cila u lidh me 24 Dhjetor 2021.

Por ku vetëm 6 muaj, pas lidhjes së kësaj kontrate midis Portit të Durrësit dhe grupit të kompanive që u shpallën fituese për projektimin e portit të ri në Porto Romano,

Autoriteti Portual Durrës bëri dhe një shtesë financiare, prej rreth 3 milionë eurosh.

Duke e rritur kështu vlerën e kostos së projektimit në 13.6 milionë euro me TVSH.

Në atë kohë ajo që u tha ishte se arsyeja kryesore e ndryshimit të kontratës, lidhej me një kërkesë të ardhur nga SHBA.

Kërkesë në bazë të së cilës i kërkohej qeverisë shqiptare që bashkë me portin e ri të përfshihej edhe ndërtimi i një baze autonome detare për Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë.

Ndryshimi i Kontratës së Projektimit

Një aspekt thelbesor i këtij projekti është ndërtimi i një baze autonome detare për

Forcën Detare të R.SH., të ndërlidhur me rrjetin rrugor dhe hekurudhor.

Komanda e Forcës Detare, duke u koordinuar me përfaqësuesit amerikanë, të cilët nëpërmjet Shtabit të Përgjithshëm kanë dërguar kërkesat specifike, i ka përcjellë Autoritetit Portual Durrës kapacitetet që nevojiten, duke u bazuar në: inventarin aktual të anijeve të Forcës Detare, anijet që kanë vizituar vendin tonë në kuadër të stërvitjeve të vendeve aleate si ‘Defender Europe 21’ dhe mundësinë për akomodimin e të gjitha anijeve të tipit ‘Destroyer’.

Pra do të ishte i mjaftueshëm ky sinops i përmbledhur i zhvillimeve rreth portit të ri në Porto Romano, për të kuptuar se që në gjenezë ky port ka qenë në interesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të cilat në kuadër të partneritetit strategjik kanë kërkuar që aty të ndërtohej edhe një bazë ushtarake për forcën detare, që do t`i shërbente SHBA-s dhe NATO-s.

Tender që për hir të së vërtetës u klasifikua që në krye të herës me flamur të kuq.

Kjo për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurues përfshi dhe ofertën më të ulët për projektimin.

Ndërsa kompanitë fituese, që u paguan 13.6 milionë euro për projektin e Porto Romanos, brenda 15 muajsh nga data e nënshkrimit të kontratës, do të duhet të dorëzonin projektin.

Por, siç do të shikoni edhe më poshtë, projekti u dorëzua më herët.

Por kush janë kompanitë që fituan tenderin për projektimin e Portit të Durrësit në Porto Romano?

Dhe cila është lidhja e tyre me qeverinë Rama?

Kompania kryesore, e cila më pas ka prezantuar dhe projektin, është ‘Haskoning DHV Nederland’ B.V me bazë në Hollandë.

Kompani e cila është në pronësi të shoqërisë ‘Royal Haskoning’ me rezidencë në Holandë.

Nga ajo që kuptohet sipas të dhënave të ‘Open Procurment’, kjo shoqëri ka edhe disa degë të tjera në Shqipëri.

Një prej tyre është ‘HaskoningDHV Nederland B.V.-Dega në Shqipëri, e regjistruar në vendin tonë më 22 maj 2008.

Kjo shoqëri ka ushtruar aktivitet në vendin tonë deri në vitin 2018, koha kur përfundoi në likuidim.

Por, ajo që zbulohet nga bilancet, është fakti se ‘Haskoning DHV Nederland’ B.V.-Dega në Shqipëri, në vitin 2015 është vënë nën sekuestro nga Drejtoria Rajonale Tatimore në Tiranë, për mos shlyerje të detyrimeve tatimore në Shqipëri.

Por vetëm 7 muaj pasi Tatimet vendosën barrë siguruese ndaj kompanisë, pikërisht kjo kompani pezullon aktivitetin dhe më pas nis procedurën e likujdimit.

Ndërkohë që nga ajo që rezulton në bilancet e dorëzuara në QKB, del se kompania në fjalë nuk ka deklaruar detyrime tatimore, ndërsa aktiviteti i saj kalon disa milionë euro çdo vit, duke ngritur pikëpyetje për evazion fiskal.

Po kështu mbetet e paqartë nëse Tatimet arritën të mbledhin detyrimet apo kompania arriti që nëpërmjet falimentit të shmangë borxhet e pretenduara ndaj qeverisë shqiptare.

Por ajo që ngre pikëpyetje shtesë, është fakti sesi qeveria shqiptare, arriti t’i besonte kompanisë holandeze projektimin e portit të Durrësit, kur ishte në dijeni se filiali i kësaj shoqërie në Tiranë kishte pasur probleme me pagimin e taksave ndaj shtetit.

Kompania e dytë, që fitoi tenderin e projektimit ishte ‘Adec Engineering Consultancy’ me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërsa kompania e tretë, është ‘Abcons’, e cila është në pronësi të ‘Blessed Investment’.

Shoqëri kjo në pronësi të Besnik Leskaj, djali i ish-deputetes socialiste Valentina Leskaj, dhe bashkëshorti i Ledia Tota, ish-drejtoreshë e AZHT-s, më tej Këshilltare e Kryeministrit Edi Rama për Planifikimin e Territorit.

Teksa 30 % të aksioneve i përkasin kompanisë ‘Capital B’ të Redjan Bashës, edhe ky një tjetër përfitues nga lejet e ndërtimit për investime në bregdet dhe jo vetëm.

Dy kompanitë e tjera të cilat fituan në garë, janë ‘Taulant Shpk’ në pronësi të Ditika Qatipi dhe ‘Geo-Eng’ e Llambro Duni.

Por edhe pse kontrata për Portin e ri kishte kohë që ishte lidhur, kryemininistri Rama dhe zv/kryeministrja Balluku, u kujtuan për prezantimin e projektit të ri të Portit të Durrësit në një ceremoni publike, vetëm një vit më pas.

Ndërtimi 393 mln euro

Por ndërsa Balluku dhe Rama ecën krah për krah teksa prezantonin me tam-tame projektin e Portit të Ri, edhe pse deklaruan se ky port do të ndërtohej me PPP, ata nuk dhanë kurrë një shifër zyrtare mbi kostot e projektit.

Edhe pse sipas tenderit për fazën e parë, kostot e punimeve do të kushtonin rreth 393 milionë euro.

Fazë në të cilën parashikoheshin një seri punimesh duke përfshirë ato për ndërtimin, linjat e komunikimit, ndërtimin e marinës, puna për ndërtimin e ujërave, zhvillimin e terrenit, linjat elektrike etj.

Pra, thënë ndryshe, kjo do të ishte një nga fazat kryesore të projektit.

Por një nga mendimet që pse qeveria shqiptare nuk bëri kurrë të ditur kostot totale të projektit, është dhe fakti që kjo mund të lërë të kuptohet se ato mund të arrijnë në vlera disa qindra milionë euro.

Por, emisioni ‘Në Shënjestër’ zbuloi një artikull të shkruar nga sajti ‘consultancy.eu’, që jep detaje të rëndësishme për projektin e Portit të Durrësit.

Sipas këtij sajti, artikulli është bazuar në të dhëna të marra nga kompania ‘Royal Haskoning’, ndërsa botimi i shkrimit është bërë në korrik 2022, apo disa muaj përpara se projekti të prezantohej zyrtarisht.

37-

Fillimisht, ky sajt, referuar deklaratave të zyrtarëve të kompanisë holandeze, zbulon se kosto për ndërtimin e Portit të Durrësit do të jetë 2 miliardë euro.

Tabelë

Detajet e projektit do të përpunohen më tej në periudhën e ardhshme, pas së cilës pikë do të fillojë ndërtimi.

Porto Romano është planifikuar të vihet në punë në vitin 2025 dhe vlerësohet se projekti mund të marrë rreth 2 miliardë euro për të përfunduar vetëm atë aspekt të projektit.

Është pikërisht kjo një e dhënë e rëndësishme, për të kuptuar se falja që qeveria shqiptare i bëri portit aktual të Durrësit te biznesmeni Muhamed Alabar, do t`u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 2 miliardë euro, apo sa 1/4 e buxhetit aktual të shtetit.

Jo vetëm kaq, por sipas artikullit, siç u citua më lart, dhe bazuar në dëshminë e drejtuesve të studios projektuese nga Holanda, porti i ri në Porto Romano do të duhet të ishte gati në vitin 2025.

Sot, në Porto Romano jo vetëm që nuk kanë nisur punimet, por tashmë as tenderi për fazën e parë nuk ekziston më.

Pra ashtu siç parashikoi në mënyrë jo edhe aq profetike ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj, kjo nënkupton se shqiptarët rrezikojnë të mbeten pa port.

Dhe në këtë pikë, vlen të kthehemi përsëri te tenderi i dytë, ai për ndërtimin.

Tenderi për ndërtimin e Portit të Durrësit në Porto Romano që u shpall më 24 dhjetor 2024.

Ndërsa më 7 shkurt 2025 ishte parashikuar si data e mbajtjes së tenderit.

Fondi limit për këtë tender që do të ishte 39.3 miliardë lekë apo rreth 393 milionë euro.

Ku më datë 4 prill 2025 Autoriteti Portual Durrës njoftoi operatorët ekonomik që ishin kualifikuar për të vijuar garën.

Fazë e Procedurës së Prokurimit në të cilën ishin kualifikuar ofertuesit;

Archirodon Construction (Overseas)

Company Limited dhe Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. –

Ndërsa u  skualifikuan ofertuesit e mëposhtëm;

China Communications Construction Company Ç. Ëebuild S.p.A.. Jan De Nul nv.

Por do të ishte kompania ‘Jan De Nul’, me bazë në Belgjikë, e cila më datë 14 prill 2025, bëri ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik duke kundërshtuar skualifikimin e saj paraprak nga gara për tenderin në Portin e Porto Romanos.

Nëntë ditë më vonë, Komisioni i Prokurimit Publik, i drejtuar nga Jonaid Myzyri, vendos të rrëzojë ankesën e kompanisë belge ‘Jan De Nul’ me pretendimin se kjo kompani nuk kishte paraqitur mandat pagese në vlerën e 2 milionë eurove me qëllim që Komisioni Prokurimit Publik të merrte në shqyrtim këtë ankesë.

Por kompania belge nuk u ndal këtu.

Ajo i argumenton Jonaid Myzyrit se nuk mund të paraqiste mandat pagese në fazën paraprake kjo edhe

për shkak se transferimi i 2 milionë eurove nga llogaritë e kompanisë në Belgjikë për llogari të Komisionitt ë Prokurimit Publik, do të kërkonin një seri miratimesh në organet drejtuese të shoqërisë.

Por këto argumente u rrëzuan, ndërsa sipas Komisionit të Prokurimit Publik kompania ‘Jan De Nul’ ka ankimuar në gjykatë këtë vendim, dhe çështja vijon të jetë në duart e drejtësisë.

Por po kështu pikëpyetje ngrihen nëse ky vendim i KPP, rrezikon t’i japë të drejtë kompanisë belge që ta padisë Shqipërinë në Arbitrazh.

Ndërkohë, kompania ‘Jan De Nul’, e skualifikuar nga gara për Porto Romanon, rezulton se është një nga më prestigjozet në botë në fushën e ndërtimeve civile.

Ajo deklaron se për vitin 2024 kishte rreth 9 miliardë euro kontrata për punime me ente shtetërore dhe private, ndërsa realizoi xhiro rreth 4 miliardë euro dhe një fitim prej rreth 400 milionë eurosh.

Edhe sot e kësaj dite mbetet mister pse qeveria shqiptare, refuzoi të pranonte qoftë dhe ofertën ekonomike të një kompanie perëndimore, që ka në CV-në e saj vepra e ndërtime publike në çdo kontinent të globit.

Kompania e vetme që mbeti në garë, pas kalimit të të gjitha fazave ishte ‘Archirodon Construction’ (Overseas) Company Limited.

Kjo shoqëri drejtohet nga një shtetas nga Egjipti, Hazem Sadek ndërsa pjesa tjetër e stafit drejtues të lartë janë shtetas grek dhe qipriot.

Kompania është e regjistruar në Qipro, që njihet si parajsë për regjistrimin e kompanive guackë.‘Archirodon’, ka si sekretari, apo thënë më qartë, kompania kryen të gjitha veprimtaritë ligjore dhe administrative të kompanisë, pikërisht kompaninë tjetër ‘Cymanco Services Limited’.

Kjo shoqëri, shërben gjithashtu edhe si sekretari për kompaninë Luk Oil, e cila gjithashtu është e regjistruar në Qipro.

‘Luk Oil’ është një kompani që zotërohet nga oligarkë rus, ndërsa është sanksionuar nga Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Kompania ‘Cymanco Services Limited’, ka shërbyer si sekretari edhe për kompani të oligarkut rus Albert Avdolyan, i cili gjithashtu ka akzua për skema mashtrimi financiar.

Pikërisht, këto lidhje të ‘Archirodon’, që ka si secretari kompaninë ‘Cymanco Sercices Limited’, ishin arsyeja që Arben Ahmetaj e cilësoi si kompani pas së cilës dyshohet se fshihen interesa ruse.

Ndaj, këto lidhje mund të jenë gjithashtu një nga arsyet pse kompania ‘Archirodon’ dështoi të ofronte ofertë financiare për ndërtimin e Durrësit, duke bërë që sot Shqipëria të ketë një humbje jo vetëm financiare por edhe kohore për ndërtimin e një prej veprave më të rëndësishme strategjike të vendit.

Supervizimi 12 mln euro

E gjithë procedura nga studimi, projektimi, ndërtimi dhe superivizimi i portit në Porto Romano, ka indicie të forta se është e paracaktuar.

Teksa u hap gara për tenderin 393 milionë euro për ndërtimin, qeveria shqiptare me një procedurë esktraligjore autorizoi Autoritetin Portual Durrës që të negocionte në mënyrë të drejtpërdrejtë kontratën për supervizimin.

Me një vendim të datës 26 qershor 2024, Këshilli i Minisrave autorizoi Autoritetin Portual Durrës, për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me subjekt ndërkombëtar.

Operatori ekonomik kontratkues ishte pikërisht kompania ‘Royal Haskoning-ARUP, MC Renovative Bruggen’.

Për vlerën e këtij tenderi, me afat zbatimi 3 vjet, qeveria shqiptare nuk bëri kurrë transparencë.

Por, referuar një kallëzimi penal që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në SPAK në vitin 2024, vlera e tenderit të supervizimit që iu dha kompanisë holandeze e cila më herët mori 13.6 milionë euro për projektimin, shkon në rreth 12 milionë euro.

Por, kjo procedurë e ndjekur nga qeveria, duket se është bërë në shkelje të ligjit për Prokurimin Publik.

Sipas këtij ligji, të ndryshuar në vitin 2024, në Nenin 52 pika 2, përcaktohet se Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore ose publike në nivel qendror të negociojnë drejtpërdrejt dhe të lidhin marrëveshje konsulence

me subjekte ndërkombëtare brenda fushës së kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik, në drejtim të aplikimit të Inteligjencës Artificiale, Sigurisë Kibernetike, infrastrukturës kritike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Autoriteti Portual Durrës është një sh.a. shtetërore, por jo një institucion qendror. Rrjedhimisht edhe negocimi i kontratës me kompaninë ‘Royal Haskoning’ duhet të ishte bërë nga institucione në nivel qendror.

Por mbetet mister, se pse ky tender me vlerë 12 milionë euro është negociuar nga APD dhe jo nga vetë Ministria e Infrastrukturës.

Shpronësimet 8 mln euro

Një tjetër kosto, që i shtohet këtij projekti është ajo e shpronësimeve për mijëra metra katrorë tokë në zonën e Porto Romanos, të cilat i kalojnë shtetit me qëllim që të vihen në funksion të ndërtimit të portit të ri.

Me anë të një vendimi të datës 31 korrik 2025, qeveria, me firmë të deleguar të Kryeministrit Edi Rama te ish-zëvendës Kryeminisrtrja Belinda Balluku, firmosi një VKM me objekt: Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit

‘Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano’

Në pikën pikën 3 të këtij vendimi përcaktohej se ‘Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit ‘pyll’, ‘arë’, ‘truall’ dhe ‘ndërtesë’, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40

(tetëqind e  pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.

Pra, sipas VKM-je, shteti shqiptar ka paguar deri më tani edhe rreth 8 milionë euro për shpronësimet, të cilat i shtohen kostos totale prej 41.3 milionë eurosh që qeveria shqiptare ka shpenzuar deri më tani për  projektimin, supervizimin dhe shpronësimet, për një projekt që duket se nuk do të shoh dritën e zbatimit edhe për disa vjet.

Porto Romano sot mund të cilësohet një ‘aferë’, pasi SPAK po heton, ndërsa opozita një vit më parë kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Por ky i fundit me vota të shumicës u rrëzua, duke u mohuar njëkohësisht shqiptarëve të drejtën për t`u informuar mbi një projekt fantazmë, që deri më tani u ka kushtuar plot 41.3 milionë euro pa u vënë as edhe një tullë për ndërtimin e tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb