Të paktën 31 persona, përfshirë një foshnjë 6-muajshe, vdiqën në një zjarr që shpërtheu në një traget pasagjerësh pranë provincës Basilan në Filipinet jugore, thanë autoritetet sot, ku më shumë trupa u gjetën në brendësi të tragetit të karbonizuar.

“Fillimisht ne regjistruam 13 vdekje, pastaj 18 të tjera, gjithsej 31 vdekje në këtë kohë” tha guvernatori i provincës Jim Suliman.

Disa nga të vdekurit u mbytën, ndërsa të tjerët u karbonizuan, tha Rehard Marfe, kreu i Rojës Bregdetare Provinciale Mindanao.

Shkaku i zjarrit, i cili shpërtheu rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës (17:00 me orën tonë), ndërsa shumë pasagjerë po flinin në kabinat me ajër të kondicionuar në kuvertën e poshtme të tragetit, aktualisht nuk dihet.

Numri i përgjithshëm i pasagjerëve, nuk dihet, por roja bregdetare tha se 230 njerëz u shpëtuan, përfshirë 35 anëtarë të ekuipazhit.

Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll zjarrin herët në mëngjes. Fotografitë e publikuara nga roja bregdetare e Filipineve tregojnë tragetin, MV Lady Mary Joy 3, i shkatërruar plotësisht nga zjarri.

“Mendova se po shihja ëndërr, por kur hapa sytë, ishte errësirë ​​dhe gjithçka ishte plot tym”, tha Mina Nani, 46, për radiostacionin DZRH.

Ajo shpëtoi duke u hedhur në det dhe duke ndarë një jelek shpëtimi me një pasagjer tjetër.

Filipinet, një arkipelag me më shumë se 7,600 ishuj, ka një rekord të dobët për sigurinë detare, me anije që shpesh transportojnë shumë pasagjerë dhe shumë linja detare që përdorin anije të vjetruara. Aksidentet detare janë të shpeshta në vend.

Në maj 2022, të paktën shtatë persona vdiqën kur një zjarr shpërtheu në një anije pasagjerësh me 134 persona në bord.

Në vitin 1987 rreth 5,000 njerëz u vranë në tragjedinë më të rëndë detare në kohë paqeje të regjistruar ndonjëherë, kur trageti i mbipopulluar Dona Paz u përplas me një cisternë nafte në ishullin Mindoro, në jug të kryeqytetit Manila.

Burimi i APE-BPE

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb