Sezoni aktual i kampionatit shqiptar ka nxjer rë në pah dy “fytyra” tërësisht të ndryshme të Partizanit. Kryeqytetasit, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit në Shqipëri, e mbyllën fazën e parë në mënyrë zhgënjyese, duke grumbulluar vetëm 8 pikë në 9 ndeshje.

Një mesatare prej 0.89 pikësh për ndeshje ishte alarmante për ambiciet dhe historinë e klubit. Jo më kot drejtuesit vendosën që pas javës së gjashtë të ndryshonin trajnerin, duke shkarkuar serbin Mlladen Milenkoviç e duke i besuar “timonin” e skuadrës teknikut Oltijon Kërnaja. 37- vjeçari, ishte një zgjidhje brenda familjes së kuqe pasi erdhi nga ekipi i Partizanit B, dhe pse është vetëm në aventurën e parë të rëndësishme në karrierën e tij, ia doli të ndryshonte “fytyrën” e ekipit, duke rikthyer besimin në ambientin e “Demave të Kuq”.

Kështu, pas disa javësh ku skuadrës i mungonte stabiliteti, grinta, organizimi në fushë dhe më e rëndësishmja rezultatet, të cilat ndikuan në renditje, e po ashtu në besimin e lojtarëve dhe të tifozëve, Partizani ia doli të shihte “dritën në fundin e tunelit”. Faza e dytë e kampionatit e vërtetoi këtë, teksa fusha tregoi një skuadër të ndryshuar për mirë. Me 15 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje dhe një mesatare prej 1.67 pikësh për takim, të kuqtë treguan se kriza e fillimit nuk ishte “pasqyrë” reale e potencialit të skuadrës. Përmirësimi në rezultate dhe marrja e pikëve, duke ngjitur shkallët e klasifikimit, riktheu besimin te të kuqtë. Skuadra u shfaq më e balancuar, më agresive në presing dhe më e organizuar, sidomos në repartin e mbrojtjes duke ulur numrin e goditjeve të kundërshtarëve që përfundonin në kuadratin e portierit Pano Qirko.

Tashmë, kur skuadrat e kampionatit shqiptar përgatiten të rikthehen në fushë për ndeshjet e fazës së tretë dhe të katërt, Partizanit i “lind” e drejta për të pretenduar një vend në “Final Four”, edhe pse aktualisht është shtatë pikë larg Vllaznisë së vendit të katërt të kampionatit. Por, kjo gjithnjë nëse të kuqtë ia dalin të ruajnë një mesatare të lartë pikësh, ashtu siç edhe rezultoi përgjatë fazës së dytë të kampionatit. Sezoni ende nuk ka përfunduar dhe Partizani ka në “dorë” fatin e tij. Faza e dytë ka treguar se potenciali në skuadër ekziston.

Tani sfida kryesore mbetet vazhdimësia, elementi që do të përcaktojë nëse ky sezon do të mbahet mend si një dështim apo si një rikthim me fund të bukur. Sigurisht, një “dorë” trajnerit Kërnaja mund t’ia japin edhe drejtuesit e klubit, duke përforcuar organikën në këtë merkato të janarit. Për momentin, te Partizani nuk ka asnjë futbollist të zyrtarizuar si afrim i janarit, megjithatë ka ende kohë deri në përfundimin e muajit dhe për të pasur kështu mundësinë për të “shkelur gazin” në maksimum për gjysmën e dytë dhe finalen e sezonit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb