Me Brdaric në stol, Vllaznia e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë duke siguruar një biletë për në “final-four”. Në gjysmëfinale, shorti i përplasi me Egnatian kryesuese, por tani është një tjetër histori, një ndeshje teke ku në “valle” është një biletë për në finale. Tekniku gjerman e pranon se kjo është një sfidë e fortë, por ekipi i tij është gati:

“Mendoj se është një ndeshje delikate dhe shumë e fortë, por rëndësi ka që e kemi në dorën tonë dhe jemi gati për të bërë mirë. Do të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje”.

Në bazë të renditjes, Vllaznia është e detyruar të fitojë, në një kohë kur Egnatia ka në favor edhe barazimin, por ky detaj nuk ka shumë rëndësi për Brdaric, ekipi zbret në fushë vetëm për të fituar:

“S’ka dyshim se duhet të fitojmë. Në çdo ndeshje futemi për tri pikë, kështu që nuk mendoj se ka ndonjë dallim këtë herë, pavarësisht se kundërshtarit i intereson edhe një barazim. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë takim”.

Në Shkodër, të gjithë besojnë se mund të fitojnë titullin këtë sezon, beson edhe Brdaric, por më parë duhet të kalojnë Egnatia:

“Ky është momenti ynë dhe duhet ta tregojmë në fushë. Shpresoj që të kemi edhe fatin me vete, por jam i bindur se do të bëjmë shumë mirë kundër Egnatias për të qenë ne skuadra që do të shkojë në finalen e madhe”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: