Vllaznia arriti të kri jonte disa raste dhe sidomos në pjesën e parë në duelin me Daugavpils, ku si protagonist dhe iniciator i shumicës së sulmeve të shkodranëve ishte Kevin Dodaj. Me sulmuesin 19-vjeçar që u shfaq 3 herë rrezikshëm në 45 minutat e para të sfidës ndaj letonezëve, por pa arritur të shënonte. Me portierin dhe mbrojtjen e Daugavpils që diti t’u bënte ballë sulmeve të kuqebluve. Por, pavarësisht se 9 herë kampionët e vendit krijuan shumë raste në pjesën më të madhe të lojës, finalizimi ishte ai që la për të dëshiruar për të besuarit e Martinit.
Me Balajn që u mbyll shumë mirë nga mbrojtësit kundështarë dhe që u limitua në maksimum, ku për 34-vjeçarin u shënua vetëm një rast në 90 minuta të lojës, ku ishte një goditje diagonale në një pozicion të prirët, që gjeti reagimin mjaft të mirë të portierit kundërshtar. Dhe kur kapiteni duket se nuk është në ditën e tij, edhe skuadra e ka shumë të vështirë gjetjen e golit. Një “sëmundje” e trashëguar që nga sezoni i shkuar për Vllazninë, që vuante shpesh në finalizim kur Balaj nuk gjente rrugën e rrjetës apo nuk shfaqte nivelin e tij të zakonshëm në fushën e lojës. Patjetër te kuqeblutë para ndeshjes së kthimit do ketë një analizë për sa i përket këtij “defekti” të skuadrës. Pasi nëse shkodranët kanë si qëllim të kalojnë në turin tjetër, duhet medoemos të rregullojnë shënjestrën dhe finalizimin e ekipit.
MESFUSHA – Vllaznia arriti të krijonte shumë pak nga reparti i mesfushës në ndeshjen e humbur ndaj Daugavpils, ku shkodranët treguan mungesë të theksuar idesh dhe fantazismi në duelin ndaj letonezëve. Me shumicën e aksioneve që vinin nga krahët për kuqeblutë, ku në mënyrën e tyre u munduan për të krijuar diçka emra si Gurishta apo Dodaj. Megjithatë, reparti që ka për “detyrë” të nxjerrë ekipin para, mesfusha vuajti shumë në krijimin e aksioneve.
Madje, në një moment ku Vllaznia ishte në kërkim të golit dhe po tentonte drejt portës kundërshtare, u dukën të “çuditshme” zgjedhjet e Martinit. Me trajnerin shkodran, i cili zbriti në mesfushë Jagon, që po bënte mirë në krahun e majtë dhe me brazilianin që dukshëm ishte i paorientuar në mesfushë, patjetër duke mos qenë aspak roli i tij natyral, kur në një kohë, në nxehje për shkodranët qëndroi për 45 minuta, Ensar Tafili. Një mesfushor tipik dhe i një stili tjetër te Vllaznia, duke qenë se 20- vjeçari është një mesfushor me tipare sulmuese. E patjetër që mund t’i jepte një tjetër ritëm skuadrës shkodrane. Duke qenë se me ish-futbollistin e Partizanit u bënë prova gjatë gjithë javës në stërvitje e madje mendohej të ishte titullar.
Por, duket se trajneri Martini ka ndryshuar ide në minutën e fundit, duke u besuar më shumë futbollistëve me eksperiencë. Me siguri që 50-vjeçari do ta shohë me një “sy” tjetër aktivizimin e Tafilit në ndeshjen e kthimit, ku ai konsiderohet si një “aset” i klubit dhe ka besimin jo vetëm të drejtuesve, por edhe të stafit teknik me në krye Martinin, i cili i ka dhënë besimin e duhur gjatë përgatitjeve verore e duke vlerësuar edhe rritjen e numrit “40, të cilit duket se tashmë po “i hanë këmbët” për të qenë protagonist dhe dhënë kontributin e tij për skuadrën shkodrane
