Kapiteni i Turqisë, Hakan Çalhanoğlu, ka folur para përballjes finale të Play off të Botërorit ndaj Kosovës, duke paralajmëruar një ndeshje të vështirë për kombëtaren e tij. Mesfushori theksoi se, pavarësisht perceptimit në letër, Kosova nuk është aspak një kundërshtar i lehtë dhe kërkon përqendrim maksimal nga ana e Turqisë. Ai nënvizoi se atmosfera në Prishtinë dhe motivimi i “Dardanëve” mund ta bëjnë sfidën edhe më të fortë se sa pritet.
“Secili ka këndvështrimin e vet. Unë nuk e nënvlerësoj asnjë kundërshtar. Me Interin u eliminuam nga Bodo Glimt. Qasja e presidentit [të Federatës Turke të Futbollit] është ndryshe. Na ka mbetur një ndeshje për Kupën e Botës. Nuk fiton cilësia, por ai që jep më shumë zemër. Ne e dimë këtë dhe jemi gati.
“E mbaj mend ndeshjen tonë të parë me Kosovën, edhe unë kam qenë aty. Janë shumë të fortë dhe kanë lojtarë të mirë. Duhet t’i vlerësosh. Edhe trajneri i tyre është i mirë. Vedat Muriqi e njoh. Ka edhe një lojtar që luan te Como. Di disa fjalë shqip, por më mirë të mos flas. Kam miq të afërt, më mirë të mos them asnjë fjalë (duke qeshur)”, shtoi ai.
“Kosova ka shumë lojtarë të rrezikshëm. Është Asllani. Vedati është shumë i mirë para portës dhe në goditjet standarde. Lojtarët që luajnë me Kenanin te Juventusi janë shumë të mirë. Të mos i përmend të gjithë një nga një, se do të ishte e padrejtë. Të gjithë janë të mirë dhe cilësorë”.
