Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve ligjzbatuese të Finlandës ka çuar në goditjen e një grupi kriminal shqiptar të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në territorin finlandez.

Në një konferencë për shtyp, prokurori i posaçëm Arben Kraja bëri të ditur se hetimet për këtë rast kanë zgjatur për dy vite dhe janë zhvilluar përmes metodave speciale të hetimit, duke përfshirë dhe krijimin e një skuadre të përbashkët hetimore me palën finlandeze.

“Ata kishin konstatuar shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal. Në kontakt me autoritetet finlandeze, u krijua një skuadër e përbashkët hetimore. Dy vjet rresht, punë e përbashkët dhe kemi ardhur në ditën e sotme”, deklaroi Kraja.

Gjatë këtij bashkëpunimi janë identifikuar lidhje të drejtpërdrejta të individëve shqiptarë që vepronin nga Shqipëria dhe Spanja drejt Finlandës, duke organizuar dhe drejtuar aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës.

“Nga ky hetim kemi nxjerrë disa problematika që tregojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e krimit shqiptar jashtë Shqipërisë,” – theksoi më tej prokurori Kraja.

Ai nënvizoi se besimi i autoriteteve finlandeze dhe suksesi i këtij operacioni tregojnë për një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe përkushtimin e SPAK për të ndjekur çdo gjurmë të veprimtarisë kriminale shqiptare jashtë vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb