TIRANË- Është firmosur sot kontrata e punimeve për Bypass-in e Vlorës. Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto tha se kjo rrugë është vepër e rëndësishme e infrastrukturës dhe bëhet me një financim të BERZH-it, i Bankës Europiane të Investimeve dhe i Bashkimit Europian. Bypass-i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash, ndërsa afati i kontratës është 30 muaj. Vlera e punimeve për këtë vepër të infrastrukturës kap shumën 35.3 mln euro.

“Sot firmoset kontrata e zbatimit të punimeve të një vepre shumë të rëndësishme të infrastrukturës sonë rrugore për Bypassin e Vlorës, një vepër e cila është një segment shumë i rëndësishëm i të gjithë rrjetit tonë veçanërisht për zonën e jugut për aksin veri-jug të rrjetit tonë jugor do të jetë një vepër rreth 29 km e gjatë, një financim i BERZH-it, i Bankës Europiane të Investimeve dhe i Bashkimit Europian. Një vepër e cila do të sjelli një frymëmarrje do të thoja krejtësisht tjetër për sa i takon qarkullimit në zonën e Vlorës një nga zonat me potencialin turistik më të madh që ka vendi dhe sigurisht do ta eksploroj këtë potencial në mënyrën më të mirë”, tha Haxhinasto.

Ministri i Transportit kërkoi nga Kompania që të punojë me standarde të larta sidomos për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore. “Shumë e rëndësishme është që në realizimin e kësaj vepre kompania të aplikojë në standardet më të larta të cilësisë dhe në të gjithë elementet e nevojshëm veçanërisht për sa i takon edhe sinjalistikës dhe sigurisë rrugore me qëllim që kjo vepër të mos jetë as më pak e as më shumë por një vepër e standardit më të lartë europian. Pasi financimi është i tillë, gara është e tillë, kanë marrë pjesë kompanitë më cilësore të interesuara dhe zbatimi do të jetë i tillë. Nuk do të bëjmë asnjë koncesion për sa i takon cilësisë së punimeve dhe standardeve që do të sjellë kjo vepër. I uroj kompanisë përfundim në kohë, brenda 30 muajve parashikohet që të ketë përfunduar kjo vepër dhe mbi të gjitha me cilësinë e nevojshme sepse Vlorës i duhet kjo rrugë, jugut të Shqipërisë i duhet kjo rrugë, turistëve shqiptar dhe të huaj ju duhet kjo rrugë”, u shpreh Haxhinasto.

Ndërsa Drejtori i Kompanisë kontraktuese, Giuseppe Nardi u shpreh se “do tregojmë se jemi në lartësinë e duhur të përfundojmë punimet me standardet e kërkuara”.

Ministri Haxhinasto vuri theksin në rëndësinë që ka aplikimi i standardit dhe cilësisë në punimet e këtij segmenti, duke kërkuar nga kompania që të dorëzojë një vepër brenda afateve dhe me standardin me të lartë evropian dhe u shpreh se do të ketë monitorimin rigoroz gjatë ndërtimit të kësaj vepre.

Bypass i Vlorës ka një gjatësi prej 29 km dhe fillon nga rrethrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlore duke përfunduar në afërsi të Orikumit. Ky aks do të ketë 2 korsi në ngjitje dhe 1 në zbritje, si dhe parashikon 6 ura kryesore me gjatësi 50 -150m. në këtë projekt janë identifikuar 8 kryqqzime me rrugët ekzistuese, për të mundësuar zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

Projekti për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës është një financim i Delegacionit të Komisionit Evropian me një vlerë prej 1.7 milion Euro.

Për ndërtimin e segmentit kanë financuar në një total prej rreth 53.000.000 Euro, BERZH në vlerën 18.000.000 Euro, BEI 18.000.000Euro dhe Komisioni i Delegacionit Evropian në vlerën 17.000.000 Euro

Mbikqyrja e ndërtimit të këtij segmenti financohet nga DKE me vlerë rreth 1.65 milion Euro.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: