Sot është festë për të gjithë besimtarët myslimanë. Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të premte, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fitër Bajramin.

Atmosfera ka qenë festive ngado, e në çdo shesh, pas lutjeve e faljes, kanë nisur edhe urimet. Fitër Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme në kalendarin e fesë islame.

Festimet në Durrës

Numri i lartë i besimtarëve, që morën pjesë në faljen e Fitër Bajramit mëngjesin e së premtes i ka shtyrë drejtuesit e myftinisë dhe xhamisë së madhe të Durrësit të bëjnë disa ndryshime gjatë ceremonisë së namazit. Për herë të parë, këtë vit, një pjesë e sheshit “Liria” dhe hapësira të tjera publike pranë xhamisë sheshi para bashkisë rruga ishin në dispozicion të besimtarëve, për kryerjen e ritualit të faljes, që nisi në orën 6.25 minuta. Falja e Fitër Bajramit është më masive sesa falja e Kurban Bajramit, sepse besimtaret janë më të përfshirë në agjërim dhe më të përfshirë për të marrë pjesë në atmosferën e faljes së Bajramit.

Festa e Fitër Bajramit përmbyll muajin e madhërueshëm të Ramazanit, gjatë të cilit, besimtarët e devotshëm agjërojnë. Një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakasë, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë për më të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë. Pas faljes, besimtarët kthehen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat festive

Festimet në Fier
Që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët në Fier kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit filloi në orën 6:30 ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes se madhe, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njëri-tjetrit. Në ligjëratën e tij myftiu Mikel Hazizolli ka uruar e përshëndetur gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitet.

Lushnjë
Sheshi kryesor i qytetit të Lushnjës shërbeu këtë mëngjes për faljen e namazit të Fitër Bajramit nga besimtarët myslimanë. Përmbyllja e muajit të madhërishëm të Ramazanit mblodhi në shesh qindra besimtarë, të cilët morën pjesë në faljen e kësaj feste të rëndësishme. Faljen e namazit e drejtoi Alban Puka, hoxhë i xhamisë së Lushnjës. Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjës, Gramoz Blliku, përcolli mesazhe bashkimi dhe vëllazërimi për të gjithë besimtarët e pranishëm.

Shkodër
Mijëra besimtarë mysliman të Shkodrës iu lutën Zotit në sheshin e madh në qendër të qytetit në këtë ditë të shenjtë të Fiter Bajramit që festohet në gjithë botën islame.
Zëvendës Myftiu i Shkodrës Arben Halluni në mesazhin e tij u ndal tek vlerat e familjes. Halluni tha se duhet të ruajmë familjen nga shthurja dhe devijimet që po tronditin botën gjithnjë e më shumë. Prindi 1 dhe Prindi 2 janë terma të ftohtë dhe që nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë fjalën nënë dhe babë tha Halluni ndërsa bëri thirrje që të rriturit të edukojnë fëmijët e tyre me vlerat e moralit, fesë dhe traditës shqiptare për të mos lejuar që në të ardhmen të devijojnë në orientimet e tyre. Zëvendës Myftiu Halluni u ndal edhe tek fenomeni i braktisjes së prindërve duke bërë thirrje që të duam dhe të mbajmë pranë vetes prindërit që sakrifikuan gjithçka për fëmijët e tyre.
Në fund Halluni uroi edhe festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët mysliman.

Korçë
Pas muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët myslimanë në Korçë mëngjesin e kësaj të premte u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 06:30 në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori. Riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët gjithashtu edhe besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati në familjet e tyre.

Berat
Besimtarët myslimanë beratas falën sot në Pedonalen e qytetit Fiter Bajramin. Pas një muaji sakrifice, nëpërmjet “agjërimit”, besimtarët myslimanë beratas kanë kryer sot në Pedonale ritet e faljes, që u mbajtën nga Myftiu i Beratit Bilbil Talla. Pas një muaji sakrifice, nëpërmjet “agjërimit”, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur mëngjesin e sotëm në Pedonalen “Republika” të qytetit, ku kanë kryer ritet e faljes së Fiter Bajramit. Pedonalia e qytetit u mbush plot me besimtarë myslimanë, të cilët janë falur për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre. Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu i Beratit, Bilbil Tallai, i cili është falur për më shumë paqe e mirësi në familjet beratase dhe në gjithë vendin. Myftiu Talla ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga zoti me më shumë begati e shëndet. Ai bëri thirrje për më shumë dashuri, solidaritet dhe mirëkuptim mes njerëzve. Mesazhe urimi për të gjitha familjet myslimane në mbarë vendin përcollën edhe besimtarët mysliman beratas.
Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët iu drejtuan panairit të ëmbëlsirave, të përgatitura prej tyre, ku të ardhurat do të shkojnë për qëllime bamirësie.
Festa e Fiter Bajramit vijon pas faljes në çdo familje beratase, me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30-ditëve të Ramazanit, ndërkohë që deri në mesditë vijojnë vizitat e urimit në ambientet e Myftinisë së Beratit.

Gjirokastër
Besimtarët myslimanë në Gjirokastër kanë falur sot namazin e Bajramit të Madh në ambientet e Pallatit të Sportit, ku u mblodhën qindra qytetarë për të kremtuar një nga festat më të rëndësishme të besimit islam. Falja u zhvillua në orët e para të mëngjesit, ndërsa mesazhi i përcjellë gjatë ceremonisë ishte ai i paqes, solidaritetit dhe bashkimit mes njerëzve.
Pjesë e ritualit ishin edhe urimet tradicionale mes besimtarëve, të cilët shkëmbyen përshëndetje dhe urime për më shumë mirësi dhe begati në familjet e tyre.
Bajrami i Madh kremtohet çdo vit si një moment reflektimi dhe sakrifice, duke theksuar rëndësinë e ndihmës ndaj njëri-tjetrit dhe forcimit të lidhjeve në komunitet.

Sarandë
Besimtarët myslimanë në Sarandë pas mbarimit të muajit të shenjtë të Ramazanit kremtuan sot Fitër Bajramin. U mblodhën mëngjesin e kësaj të premteje për faljen e namazit në orën 06:45 të mëngjesit në mjediset e xhamisë në qytet por edhe jashtë saj ku u organizua ceremonia e faljes. Në të morën pjesë qindra qytetarë që u bashkuan në lutje dhe urime për këtë ditë të veçantë. Falja u drejtua nga myftiu i Sarandës, Bledar Mullai, i cili gjatë gjithë fjalës së tij përcolli mesazhe paqeje, solidariteti, ndihme, harmonie dhe begatie për të gjithë besimtarët. Fitër Bajrami përfaqëson shpërblimin shpirtëror pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi gjatë agjërimit, u shpreh mes të tjerave myftiu i Sarandës, Bledar Mullai.

Pukë
Edhe besimtarët mysliman të Pukës pas përfundimit të përiudhës së agjërimit ju drejtuan xhamive të zonës. Ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u bë në Xhamin e Kodër Hanit. Falja u drejtua nga myftiu, Gëzim Kopani, i cili u ndal tek rëndësia e veprave të mira që duhet vazhduar nga besimtarët ashtu sikurse dhe gjatë muajit të Ramazant. Edhe ne Pukë besimtarët u lutën për ndalimin e luftërave, për paqe dhe mirësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: