PESHKOPI- Dy deputete të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet i bashkohen Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për deputeten Elena Xhina të Elbasanit dhe Reme Lala e Dibrës.
Lala deputetja që fitoi mandatin me PDIU-në por që gjithmonë nuk e ka fshehur simpatinë për kryeministrin Edi Rama dhe PS-në e ka deklaruar sot bashkimin e saj me maxhorancën.
Në takimin e kryeministrit Edi Rama në Peshkopi, Lala ka mbajtur një fjalim relativisht të gjatë ku nuk i ka kursyer elozhet për shefin e qeverisë, ministrat Xhaçka dhe Gjiknuri dhe në fund deklaroi se do i bashkohet ‘më të mirëve’, PS-së.

“Gjithmonë zemrën peshë ke për të na e mbajtur me këto surpriza zoti Kryeministër. Kjo është rruga e ëndrrës së çdo dibrani. Gëzimi i madh sot edhe për Dibrën e Madhe, ne këtej dhe vëllezërit e motrat tona andej kufirit. Në këtë shesh ku jemi sot, në çdo fushatë të çdo partie rruga e Arbrit ka qenë kryefjala e premtimeve dhe pas çdo zgjedhjeve kryefjala e zhgënjimeve. Faleminderit Edi Rama se ma shpëtove mandatin. Por përtej shakasë bravo të qoftë se përsa i përket Dibrës, i shpëtove nderin politikës, qeverisë dhe vetes”, tha ajo duke përshëndetur fillimin e punimeve për “Rrugën e Arbrit”.
“Unë iu kam thënë dibranëve që unë nuk kam parti, partia ime është Dibra. Nuk bëhem pjesë e lojërave politike. Në këtë vit të parë kam mundur të shoh e të përjetoj shumë gjëra dhe kam kuptuar se nuk janë të gjithë njësoj si nga televizor.
Unë dua të bashkohem me më të mirat dhe të mirët, me PS-në që nuk është më e mira por më të mirë nuk kemi parë”, deklaroi Lala.
Madje ajo shtoi se edhe Elena Xhina, e pranishme në aktivitet e cila ka vendosur t’i bashkohet Partisë Socialiste.
(m.k/BalkanWeb)
