Dy shkrimtarë të rinj dhe një emër i njohur në letërsi janë shpallur fitues të Konkursit të Karantinës nga Qendra e Librit. Librat e tyre do të botohen prej saj, ndërsa juria foli për befasi.

Lum Gashi nga Kosova, shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi dhe Ervin Nezha një i ri nga Librazhdi, janë tre fituesit e Konkursit Libri i Karantinës, nismë e Qendrës Kombëtare të Librit. Mes 82 dorëshkrimeve të dorëzuara, në një garë që nisi me paragjykime, por solli risi, një nga fituesit ia kushtoi çmimin dy poeteve simbol të disidencës.

Ervin Nezha, fitues i Librit të Karantinës tha “Sot është festë, por para 44 vitesh u vranë dy poetë. Jam nga i njëjti qytet me ta, ndaj çmimi im iu kushtohet Genc Lekës e Vilson Blloshmit”.

Me herët, vetë ministrja pati krahasuar kohët e ndalimeve.

Elva Margariti tha se “Ka qenë një lloj diktature edhe kjo pandemi, por si pandemia as edhe diktaturat nuk e ndalin letërsinë”.

Sipas jurisë, e cila ka bërë vlerësimin pa qenë në dijeni të emrave të autorëve, prurjet kanë qenë të shumta dhe befasuese.

Rita Petro, shkrimtare, anëtare jurie tha se në tregimet e romanet e dorëzuara në dorëshkrim, tematikat lëvrinin nga drama politike, familjare e personale”.

Ndërkaq, Fatmira Aliaj, shkrimtare, anëtare jurie u shpreh se “pa dashur ta ndaj Letërsinë në autorë burra a gra, dua të them se shumë gra shkrimtare që morën pjesë në konkurs, kanë stil të arrirë”.

Dhe një prej tyre u vlerësua në treshen më të mirë.

Vera Bekteshi, shkrimtare fituese e quajti letërsinë “shpëtim në internim e tranzicion”.

Në fund, u dha një përgjigje për të gjithë kritikët.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e qendrës së Librit:

“Pati diskutime, por erdhën 82 dorëshkrime. Letërsia Shqipe do të jetë në fokus të Qendrës së Librit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb