7 gola të shënuar, një futboll i çmendur, përmbysje kundër përmbysje, një fund triller, me Chelsea që del me tre pikë përballë Man.United, një fitore 4-3 e vendosur vetëm në frymën e fundit. Sfida nisi me gol, me Gallagaer që kaloi blutë në avantazh që në minutën e 4-të, ndërsa në minutën e 19-të, Palmer dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. United reagoi fuqishëm brenda pjesës së parë, fillimisht duke ngushtuar shifrat në 2-1 me Garnacho-n, ndërsa në minutën e 39-të ishte Bruno Fernandes që barazoi rezultatin në 2-2.

Talenti argjentinas u kthye në protagonist në këtë mbrëmje teksa në pjesën e dytë realizoi golin e dytë personal duke përmbysur shifrat në 2-3. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 10-të te shtesës, Chelsea fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Palmer u tregua sërish i saktë duke barazuar shifrat në 3-3. Chelsea nuk u mjaftuan me kaq, por në aksionin pasues, në minutën e 111, Palmer realizoi golin e tretë personal dhe të katërtin për Chelsea duke i dhuruar bluve një trepikësh të çmendur:

“Është një sukses i madh, një stimul shumë i madh. Kjo fitore na kthen humorin e mirë. Shpresojmë të rinisim rrugëtimin tonë”, u shpreh Palmer, i cili nuk e fshehu gëzimin për “tripletën” e tij të parë.

“Ishte fantastike. E merituam, ishim skuadra më e mirë në fushë, ky ishte rezultati i drejtë”, u shpreh Pochettino pas fitores kundër United.

E ka të vështirë të pranojë një humbje të tillë trajneri Ten Hag: “E nisëm keq, por më pas morëm kontrollin e lojës. Të vjen keq, pasi meritonim të fitonim këtë takim”, u shpreh Ten Hag.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb