2025 ishte një vit i rëndësishëm elektoral për Shqipërinë dhe Kosovën. Dy ishin opsionet mbi tryezën e shumicës së votuesve në dy anët e kufirit simbolik, mundësia për ndryshim të qeverisjes ose status-quo. Në të dyja rastet fitoi status-quo, ose e thënë ndryshe vazhdimësia. Pavarësisht se fitoret erdhën në muaj dhe mënyra të ndryshme, ajo që i bashkon është triumfalizmi jo shumë i lumtur i dy kryeministrave afatgjatë. Rama dicka më shume, por edhe Kurti jo për pak kohë po qeveris i vetëm në Kosovë. Në Shqipëri i njëjti udhëheqës politik po drejton vendin prej 13 vitesh, në një cikël anormal dhe të tejzgjatur qeverisjeje. Dhe për këtë arsye forcën e votës së fituar në 11 maj e demonstron si trofe sa herë që gjëndet nën presionin e drejtësisë. Kurti po ashtu doli më i fortë pardje, bash 10 muaj pas zgjedhjeve të fundit ku humbi terren dukshëm, në kufijtë e pamundësisë së formimit të qeverisë. E tashmë ai ka rifituar mandatet e mjaftueshme për të qeverisur për herë të tretë Kosovën.

Por cfarë i bashkon të dy kryeministrat “triumfatorë” të 2025, megjithëse në pamje të parë ngjajnë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri aq sa edhe janë konfliktuar verbalisht në më shumë se një herë? Së pari i bashkon aftësia retorike dhe organizative elektorale përballë kundërshtarëve që vuajnë pak a shumë nga të njëjtat sindroma. Si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë opozitat janë të përcara, pa leadership frymëzues, u mungon një identitet i qartë politik e inteligjencë praktike për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur. Së dyti, i bashkon fakti se si Rama ashtu dhe Kurti fitojnë pavarësisht nga bilancet e dobëta qeverisë. Po të krahasosh premtimet e Ramës në fushatën e vitit 2013 kur fitoi zgjedhjet e para, me mbajtjen e atyre premtimeve, është sikur të gjesh gjlpërën në kashtë. Po ashtu edhe Kurti nuk po drejton një Kosovë më të mirë se c’e gjeti, përkundrazi. Por stanjacionin dhe dështimet i fshehin përmes propagandës dhe dobësisë së kundërshtarëve. E pse jo dhe politizimit të administratës. Të dy i bashkon edhe naiviteti i diasporave që votojnë emocionalisht pavarësisht se pasojat e dështimeve të të dyja qeverive i vuajnë shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës që jetojnë në vendin e tyre. E deri këtu, cdo gjë duket si një normalitet që do u garantojë me shumë mundësi një mandat 4-vjecar të qetë.

Por problemi fillon me shumë gjasa të ngjashmëria e tretë, por që mund të jetë fatale për të dy fituesit e mëdhenj me buzëqeshje të ngrirë. Pasi në daljet e tyre publike duket se më shumë sesa të gëzuar, shfaqin grimasa të mërzitura për triumfin elektoral. Kjo ngjashmëri është pikërisht një factor që është determinant për vënde të vogla si Shqipëria dhe Kosova. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilat të dy kryeministrat i kanë në pikën më të ulët historike. Se në c’nivel janë marrëdhëniet e Kurtit me SHBA dhe BE nuk ka as nevojë për rikujtesë. Praktikisht janë të ngrira prej kohësh. E të shoqeruara biles edhe me qëndrime të ashpra publike të shumë politikanëve amerikanë dhe evropianë. Ndërsa Rama ndodhet në të njëjtën pozitë, pavarësisht se në pamje të parë nuk ngjan ashtu. Pasi jo vetëm që prej shkurtit të 2024 nuk ka patur asnjë takim me zyrtarë të lartë të SHBA, por edhe deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të BE në raport me SPAK bien ndesh me tonet kundërshtuese apo dhe kërcënuese të Ramës në lidhje me të njëjtin institucion.

Mbase do ishte e lehtë të thuhej se ka një zgjidhje për këtë ngërc mes dy kryeministrave dhe ndërkombëtarëve. Të vazhdohej si deri më sot, të dyja palët në rrugën e vetë. Rama e Kurti të qeverisin e ndërkombëtarët të flasin dhe kaq. Por gjasat janë se vështirë që kjo rutinë gënjështare të zgjasë dhe shumë, për shkak të axhendës së Ballkanit Perëndimor që kancelaritë si në SHBA ashtu dhe në BE kanë mbi tryezat e tyre.

Dhe sic shkruante Makiaveli tek vepra e tij madhore “Princi”, se politika është kryesisht “fat”, edhe në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, fatin nuk e vendosin dot dy njerëz gjithësesi të vegjël, por rrethana shumë komplekse, sidomos në ditët e sotme të ringjalljes së rivaliteteve të mëdha mes perëndimit dhe lindjes në nivel global. E natyrisht që Ballkani Perëndimor pavarësisht mënjanësisë së Sërbisë, është i integruar në NATO. Por nga ana tjetër si një rajon shumë pranë vijave ndarëse, rajoni ynë ndodhet mes dy zjarreve që përpiqen të “ngrohin” sferat e veta të influencës dhe ti mbajnë ato me cdo kusht, apo dhe ti zgjerojnë. Dhe mekanizmat që kanë përdorur SHBA dhe BE për të mbajtur këtë rajon në perspektivën demokratike për fatin e mirë të shqiptarëve janë politike, diplomatike, ushtarake dhe ligjore. Mekanizmi i fundit është mishëruar tek SPAK dhe GJKKO në Shqipëri e Prokurinë Speciale në Kosovë. Dhe Rama këtë e ka kuptuar në mos e ka ditur që në krye të herës, por kjo nuk e shpëton dot nga fati i tij i keq që e ka gatuar po vetë përmes korrupsionit të paprecedentë dhe lidhjeve të forta me krimin e organizuar. Ndaj dhe “retë e zeza” që po i vërdallisen mbi kokë nga drejtësia janë një hall aq i madh për të që nuk ja zgjidh dot fitorja me 83 mandate e zgjedhjeve të 11 majit.

E në të njëjtën pozitë pak a shumë ndodhet edhe Kurti. Por me një specifikë. Duke qënë se Kosova është një shtet me sovranitet të kufizuar që mbahet në këmbë nga fuqia e SHBA dhe BE, për Kurtin përplasja është edhe kryesisht e natyrës diplomatike dhe akoma më e hapur dhe delikate, sidomos për sa kohë KFOR garanton integritetin territorial të vendit që ai drejton. E duke ju rikthyer krizës së rëndë që ai ka në marrëdhënie me ndërkombëtarët dhe rëndësisë që ka Kosova në skakierën gjeopolitike, e ardhmja shume e afërt e tij dhe Vetëvendosjes mund të vihen në dyshim pavarësisht nga fishekzjaret e fitores të hedhura në Prishtinë ditën e djeshme. Si fitorja e Ramës e po ashtu ajo e Kurtit mund të përfundojnë si fitorja e Pirros, që shënoi dhe fundit e atij vetë. Jo më kot edhe Pirro i këtyre trojeve ishte!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb