Asnjë parti, grup partish apo individ nuk mund të fitojë beteja politike në Shqipërinë demokratike pa mbështetjen e partnerëve amerikanë dhe europianë. Shqipëria e tri dekadave të fundit e ka konfirmuar si aksiomë këtë pohim. Për fat. Skena në vendin tonë është tre polare. Shumica-Opozita- Partnerët  Perëndimorë. Dy të parat alternohen në pushtet, faktori  i  tretë është konstant. Ushtrimi është i thjeshtë. Për të shpresuar fitoren, opozita, minimalisht, duhet të sigurojë  një qëndrim  të baraslarguar të  SHBA  dhe BE-së  përkundrejt  saj dhe qeverisë.

Qëndrim  i baraslarguar ka rezultuar të jetë ai, kur ndërkombëtarët kanë parë se rrotacioni i pushtetit nuk  do të sillte  asnjë  problem në orientimin gjeostrategjik të  vendit dhe në  avancimin e përparësive të përbashkëta, siç  ka  qenë,  fjala vjen, hyrja në NATO në  vitin 2015, apo  siç është  sot  lufta kundër pandëshkuershmërisë  në sferat e larta  nëpërmjet reformës në drejtësi.  Nëse  me njerëzit, me sjelljen, me programin dhe me garancitë e saj opozita  siguron me shumë se këtë lloj baraslargësie , pra edhe simpati e mbështetje  nga  amerikanët  dhe europianët,  sidomos nga amerikanët,  fitorja e saj është thuajse e sigurt. Jo se  partnerët ndërhyjnë me ndonjë shkop magjik, por qëndrimi i tyre reflektohet menjëherë në zgjedhjen e qytetarëve.

Perceptimi  se kjo apo ajo forcë, ky apo ai lider  kanë  mbështetje amerikane është faktor elektoral në Shqipëri.  SHBA  nuk kanë ketë peshë kudo.  Ato  shërbejnë politikat e integrimit  euroatlantik në  vendet  sllave të rajonit  gjithashtu,  por  kanë një kuptim të arsyeshëm në lidhje me ndasitë dhe dyzimet  e  partive  për orientimin në këto vende.  Kurse në Shqipëri,  me statistika të përtërira sistematikisht,  shumica dërmuese e qytetarëve  shqiptarëve  kanë  orientim  perëndimor.  Do të thotë se lojërat  politike me kursin pro amerikan, të maskuara apo të pamaskuara,  përbëjnë një  devijim  nga ajo  që  duan qytetarët dhe nuk miratohen .

Të gjithë këto janë thënë e do të vazhdojnë të thuhen sa herë të  jetë e nevojshme. Duhet  nënvizuar ndërkaq një gjë që  shumë e mendojnë por pak e pohojnë: karta apo epërsia që vijon të ketë kryeministri  Edi Rama  ndaj kundërshtarëve  në vend janë marrëdhëniet  e tij të mira me Uashingtonin, Berlinin dhe kryeqytetet  e tjera të Perëndimit. Në  Uashington e dinë shumë mirë  çfarë ka thënë  për  Presidentin  Trump  para katër vjetësh. Edhe në Berlin e dinë se Rama i përket  një formacioni  politik të majtë  të ndryshëm nga ai që  ka udhëhequr e udhëheq kancelarja  Merkel. Politika reale  ndjek një logjikë  shumë me  komplekse  se këto. Shkurt fjala, ndërkombëtarët, pa fshehur apo rrumbullakosur asgjë  që lidhet me gjendjen e demokracisë në  Shqipëri,  janë  përcaktues  qoftë për kursin, qoftë për zgjidhjen e ngërçeve politike në Shqipëri.

Ata i kanë shënuar  dhe pasqyruar  në raportet e tyre për Shqipërinë denoncimet e drejta të opozitës, të shtypit kritik apo grupeve të interesit, por nuk kanë shkuar më larg që t’i heqin besimin publikisht kryeministrit dhe qeverisë së tij.  Ka plot që  duan ta shpjegojnë këtë  me  shprehjen e njohur se ndërkombëtarët duan stabilitetin në vend të demokracisë. Kjo është e vjetër dhe ha shumë diskutim në ditët tona në rrafshin praktik dhe teorik.

Çështja është më e thellë. Duhet analizuar me realizëm  dhe profesionalizëm  nga opozita pse mbështetet Rama dhe mbi ketë bazë duhet ndërtuar strategjia dhe sjellja politike.  Askush nuk është i ndaluar ta shpjegojë ketë në mënyrë  sipërfaqësore,  skematike apo të trashë  dhe të ngushëllojë  vetën  e njerëzit që ka përqark, duke u thënë, se i ka blerë të gjithë e  mbroçkulla të tilla idioteske, që fyejnë  integritetin e politikanëve që drejtojnë vendet me të zhvilluara të botës oksidentale.  Guri i provës, sipas mendimit tim, ka qenë dhe mbetet  qëndrimi ndaj  Reformës  në Drejtësi, si prioritet  amerikan dhe europian në  vendin tonë.

Pavarësisht se çfarë ka në zemër,  Rama ka qenë në sintoni me autorët realë të konceptimit  dhe zbatimit të kësaj reforme.  Ndërkohë që opozita ka  notuar  herëpashere nëpër ekuivoke dhe ka ndërmarrë akte  ekstreme  jo adekuate me  shkaqet që i kanë prodhuar. Fjala është për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve.  Këto akte pa precedent kanë pasur e vijojnë të kenë aty ku shfaqen sërish në forma të tjera  një lexim shumë specifik të disfaforshëm për opozitën  nga ana e administratës amerikane dhe nga  Gjermania.  Kjo ka bërë që Ramës ti shkojë një mbështetje që nuk do ta kishte nëse opozita  do të ndiqte në çdo qëndrim të saj qëllimet  madhore të reformës  dhe do të kalibronte një opozitarizëm  efikas që reflekton  deri në fjalët dhe  tonet e përdorura dinamikën e ngjarjeve në vend. Gjë që ka filluar ta bëjë kohët e fundit. Për të mos u zgjatur, marrëdhëniet e mira  të sintonisë dhe  bashkëndarjes së qëllimeve strategjike  dhe sjelljes demokratike me SHBA dhe BE janë jetike për suksesin e opozitës dhe faktorëve të tjerë  institucionalë, siç është Presidenti Meta.

Marrëdhëniet e mira e përmbajnë  si  të domosdoshme paraqitjen  me fakte dhe argumente  të gjendjes në  Shqipëri  dhe  të  përgjegjësive  konkrete te qeverisë së Ramës. Këtu lipset vërtetësi, profesionalizëm, maturi, etikë. Sepse nuk je duke bërë një status për  militantët, por je duke komunikuar me  nivelin më të  lartë të politikës perëndimore.

Nga kjo pikëpamje, Presidenti Meta mund ta kishte menduar  më mirë gjestin e tundjes së flamurit të SHBA  që  provokoi reagimin pa precedent të ambasadores  amerikane, Yuri Kim. Ambasada  e lexoi  si një gjest  me të cilin Meta kërkonte  të përcillte mesazhin e mbështetjes së tij nga SHBA. Duke reaguar  në emër të vendit që përfaqëson,  ambasadoresha e re bëri të qartë  mesazhin e kundërt, atë të mosmbështetjes së manifestimit të Metës nga SHBA, çfarë  i krijon  probleme  PD-së dhe  Bashës, që kanë  konsumuar një sezon gri  me SHBA  gjatë protestave vitin e shkuar  dhe nuk do të donin të ktheheshin, ma merr mendja në pikën e nisjes.

Duke qëndruar në këtë temë, Meta duhet të adresojë dhe specifikojë denoncimin  që bëri në të njëjtin  manifestim ndaj asaj që ai e quajti  “organizatë  ndërkombëtare”, e cila  po komploton  kundër sovranitetit  të Shqipërisë.  Është  legale apo okulte kjo organizatë?  Është e vendosur në Perëndim apo në Lindje?  Në favor të  kujt komploton kundër sovranitetit të  Shqipërisë?  Ne jemi vend i NATO-s me të cilën ndajmë çështjet e sigurisë së përbashkët. Përballimi i rreziqeve  në rrafshin e sigurisë  dhe sovranitetit  kombëtar  nuk mund të behët pa SHBA dhe NATO-n.

Lënia  pezull e organizatës krijon lloj-lloj aludimesh  që u shkojnë vetvetiu  politikave  zyrtare të SHBA dhe BE-së për Shqipërinë. Të kuptohemi: Meta dhe politikanë të tjerë të Tiranës  mund të jenë  kundër  qëndrimeve  të caktuara  të Uashigtonit  e Brukselit, apo kundër  zyrtarëve  që flasin në emër të  këtyre vendeve.  Historia e demokracisë  sonë të  re njeh jo pak shembuj të tillë. Në tërësi, ata që i kanë mbajtur kanë qenë  pro amerikanë  dhe proeuropianë në orientim. Ka një dallim të qartë  mes properëndimorëve që nuk janë servilë  dhe   sovranistëve  të tipit të vjetër që ngrihen kundër partnerëve për t’u  kapsuluar në  interesat e pushtetit të tyre.

Nëse  e ka  me qëndrimet zyrtare te shteteve,  Meta duhet të jetë konkret gjithashtu. Me cilin qëndrim? Që është mbajtur nga kush? Që është mbajtur kur? Në këtë mënyrë  marrëdhëniet  e miqësitë  zhvillohen në  dinamikën  e shkëmbimit lirisht dhe me transparencë  të  mendimeve dhe  vetëm shëndoshen e forcohen.

Për t’u kthyer ku e nisëm, shqiptarët  jetojnë në një botë të hapur  prej tre dekadash. Ata e dinë shumë mirë se atdhetarizmi  dhe integrimi  në  familjen e kombeve të lira janë sot anë të së njëjtës medalje. Nga përvoja shekullore dinë edhe tjetrën: që  partitë  dhe politikanët me të mirë  janë ata që ndajnë formimin dhe projektin e tyre politik me SHBA dhe BE.  Fitoret pa SHBA dhe BE apo kundër tyre  janë të pamundura. Për me tepër, fitore të tilla nuk na duhen edhe po ta çojë dreqi të jenë të mundura. /Gazeta Liberale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: