Politologu Naim Iljazi në një intervistë në News24 foli për zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Kosovë.
Gjatë intervistës, Iljazi tha se procesi ishte i rregullt dhe se nuk u raportua për konflikte.
“Procesi ishte i rregullt dhe pa konfliktet. VV u tregua edhe njëehrë se ishte subjekti më i madh dhe më serioz. Ia arriti qëllimit të vet. Mesa duket PDK, LDK apo subjektet e tjera nuk kanë pasur aq seriozitet për të marrë pushtetit dhe qytetari të penalizon. Në këto zgjedhje u pa një rritje”, u shpreh ai.
Gjithashtu në analizën e tij, ai tha se ajo që u pa në këto zgjedhje, ishte fakti se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një rritje. Sipas tij VV është parë me më seriozitet nga qytetarët në krahasim me partitë e tjera.
“Diaspora padyshim ndikoi në këto zgjedhje, por gjithsesi edhe ata gëzojnë të drejtën e votës. Qytetarët panë seriozitet më të madh te VV. Nuk mund të pretendosh fitore me figura të ricikluara, njerëz që nuk janë të adhuruar para opinionit. Nuk mundet vetëm se është i biri i dikujt të kandidojë, kur nuk ka dhënë asnjë kontribut në shoqëri”, shtoi ai.
