Tirana kaloi me sukses ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke fituar bindshëm 4-1 ndaj Kastriotit në Kamëz dhe tashmë është me një këmbë në gjysmëfinale. Kjo fitore rrit moralin në kampin bardheblu në prag të derbit kundër Partizanit.

Këtë e pranoi edhe trajneri Orges Shehi, i cili pohoi se përpos anës psikologjike, ku edhe sulmuesit u zhbllokuan, skuadra kurseu edhe energji për sfidën e së hënës. Sipas numrit një të stolit bardheblu, kupa dhe kampionati kanë specifikë të veçantë, shto faktin që lodhja bën të vetën me ka shumë intensitet ndeshjesh.

Trajneri Shehi nuk kurseu titullarët në sfidën e Kupës, duke dashur të avancojë në të dy frontet. Tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te derbi, Tirana nuk ka humbur kohë dhe ka nisur nga përgatitjet.

Bardheblutë janë në vendin e parë, 3 pikë para rivalit të përjetshëm dhe një fitore do të ishte një bonus i madh për të mbrojtur titullin kampion. Nisur nga renditja, edhe një barazim nuk do të ishte keq për Tiranën, por të besuarit e Orges Shehit nuk do të futen në fushë me këtë ide, pasi derbi luhet vetëm për t’u fituar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb