Gazetari Milaim Zeka, ka komentuar në News24 zgjedhjet e mbajtura dje në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti dolën fitues. Zeka u shpreh se fitorja e Kurtit ishte e pritshme, për shkak të mungesës së një kauze të qartë nga ana e opozitës.
Sipas tij, procesi zgjedhor u ndikua edhe nga data e zgjedhjeve, e cila u caktua më 28 dhjetor, kur kishte edhe një prezencë të madhe të diasporës në Kosovë.
Në analizën e tij, Zeka theksoi gjithashtu se opozita nuk arriti të përballej seriozisht me Kurtin gjatë fushatës.
“Asnjë opozitar nuk e ka sulmuar realisht Kurtin”, tha ai, duke shtuar se opozita ka vepruar pa kauzë dhe strategji të mirëfilltë.
Sipas Zekës, gjatë pesë viteve të fundit, përplasjet më të mëdha të Kurtit nuk kanë qenë me opozitën politike, por me gazetarët dhe analistët.
