Për disa çaste besuan se jeta e tyre kishte ndryshuar përgjithmonë. Nga një biletë dy paundëshe, menduan se ishin kthyer në milionerë. Por historia e Edwina dhe David Nylan, një çift nga Fleetwood, Angli, u shndërrua në një nga rastet më të dhimbshme “po sikur” në historinë e lotarisë britanike. Çifti kishte përzgjedhur saktësisht të njëjtët gjashtë numra që fituan xhekpotin prej 35 milionë paundësh, në një short pak para Krishtlindjeve. Numrat përputheshin plotësisht. Megjithatë, mungonte një detaj vendimtar: bileta nuk ishte blerë përfundimisht.

Edwina kujton momentin kur pa numrat fitues duke u shpallur. Çdo gjë dukej si një fitore që do t’u ndryshonte jetën. Por nuk mbërriti asnjë email konfirmimi dhe asnjë njoftim në profilin e tyre të lotarisë. Kur kontaktuan kompaninë e lotarisë, morën përgjigjen që i shoi çdo shpresë. Blerja e biletës ishte refuzuar automatikisht, pasi në llogarinë bankare kishte vetëm 60 pound dhe jo shumën e nevojshme për transaksionin. Pa blerje të përfunduar, nuk kishte as pjesëmarrje në short – dhe rrjedhimisht, as të drejtë për çmimin.

Edwina shpjegon se ata u përpoqën të rimbushnin llogarinë dhe menduan se procesi ishte kryer me sukses. Email-i i konfirmimit nuk u kontrollua kurrë. “Ishte nata e Krishtlindjeve dhe mendja ime ishte diku tjetër”, tha ajo. Por sistemi i lotarisë nuk funksionon mbi supozime: pa konfirmim, nuk ka biletë; pa biletë, nuk ka fitim – edhe nëse numrat janë të gjithë të saktë.

Nga ëndrra në ‘asgjë’ brenda pak orësh
Edwina e përshkruan ndjesinë si një zhgënjim të thellë, më shumë se zemërim apo tërbim. “Na u desh thjesht të vazhdonim jetën tonë. Të mos fundosemi. Të jemi mirënjohës për atë që kemi”, u shpreh ajo. Nga ana e saj, kompania e lotarisë sqaroi se çdo përpjekje e dështuar për blerje shoqërohet me një mesazh gabimi dhe se vetëm biletat e blera me sukses përfshihen në short. Pavarësisht gjithçkaje, çifti Nylan thotë se do të vazhdojë të luajë. Jo në pritje të një mrekullie, por me një filozofi të thjeshtë: “Ndonjëherë fati nuk të detyrohet asgjë.”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: