Besuan deri në fund, nuk hoqën dorë nga ëndrra e madhe për të kthyer titullin në Shkodër por fati këtë herë nuk ishte me kuqeblutë. Vllaznia mbyll një sezon të çmendur si nën kampion, më saktë me pikë të barabarta me Teutën kampione, ku diferencën e bëjnë vetëm katër gola më pak, në të tilla raste i gjithë sezoni të kalon përpara syve. Shkodranët treguan karakter, fituan aktin e fundit përballë Laçit me rezultatin e pastër 2-0 por vetëm kaq nuk mjaftonte, goleada e Teutës i nxori jashtë lojë. Ekipi i Brdaric ishte pa diskutim një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni, një skuadër që prodhoi një futboll të hapur dhe ofensiv por dhe ata kanë mëkatet e tyre, është e pafalshme se si shpërdoron një avantazh prej nëntë pikë në raport me rivalët.

Ky është një diskutim i mbyllur dhe një mësim për të ardhmen, e rëndësishme është që Vllaznia u rikthyer aty ku i takon, në majën e futbollit shqiptarë, arritën të realizojnë objektivin kryesor, pjesëmarrjen në kupat e Europës, ndërsa kanë në dispozicion edhe një sfidë të fundit për të mbyllur sezonin me trofe, Kupën e Shqipërisë ku në finale përballen me Skënderbeun.
(BalkanWeb)
