Në mbledhjen e së hënës në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, dpeuteti Agron Shehaj debatoi me ministren e Jashtme Elisa Spiropali, në lidhje me deklaratat e biznesmenit Behgjet Pacolli dhe dosjes së SPAK për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ku ai deklaroi se fituesi u vendos në zyrën e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Shehaj akuzoi qeverinë se procesi i përzgjedhjes së fituesit të koncesionit është vendosur për interesa politike, ndërsa ironizon duke thënë se kjo është diplomaci ekonomike e qeverisë shqiptare, që të përcaktojë, gjejë miqtë e vetë nëpër botë dhe të ndjekë interesin e vetë duke përdorur paratë e qytetarëve shqiptarë?
“Para disa ditësh, Behgjet Pacolli, ka bërë një intervistë , ku ka bërë një deklaratë shumë të fortë, ka thënë që Aeroporti i Vlorës, fituesi i Aeroportit të Vlorës dhe përqindja që do kishin aksionerët brenda kompanisë që fitoi tenderin për Aeroportin e Vlorës, është vendosur në zyrën e zv.kryeministes Balluku. Aty thotë Pacolli, kam qenë unë, një turk dhe ka qenë ministrja.
Dhe aty është vendosur. Tani, po të lexosh dosjen e SPAK po ashtu, edhe në dosje e SPAK del që fituesi i koncesionit të Aeroportit të Vlorës është përcaktuar në zyrën e Belinda Ballukut. SPAK thotë të njëjtën gjë. Folët për diplomaci ekonomike, kjo është diplomaci ekonomike e qeverisë shqiptare, që të përcaktojë, gjejë miqtë e vetë nëpër botë dhe të ndjekë interesin e vetë duke përdorur paratë e qytetarëve shqiptarë”, tha Agron Shehaj.
Në përgjigje, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, refuzoi të komentojë çështje që janë nën hetim nga organet e drejtësisë, duke theksuar se përgjegjësia për t’u shprehur mbi fajësinë apo pafajësinë e individëve i takon vetëm gjykatave.
“Këto nuk i gjykoni ju, i gjykon gjykata, te cilët i kemi lënë të lirë të bëjnë punët e tyre dhe nuk do gjeni askënd prej nesh t’i komentojë dhe pastaj sa i takon përgjegjësive, ato janë individuale dhe ato që ju i quajtët përgjegjësi politike, të jeni i sigurt që ne i kemi mbajtur përgjithmonë dhe jemi ballëlartë para opinionit publik dhe qytetarëve tanë që na e kane dëshmuar në ndoshta 12 pale zgjedhje”, u shpreh Spiropali.
