Nga Uashingtoni deri në Ballkan, presionet politike, populizmi dhe polarizimi po e kthejnë lirinë e shprehjes në një nga sfidat më delikate të demokracive moderne. Liria e shprehjes është konsideruar prej kohësh si themeli i çdo demokracie funksionale.
Megjithatë, nga Uashingtoni në Ankara, nga Budapesti në Beograd, ajo po gjendet gjithnjë e më shpesh nën presion. Rasti i fundit në Shtetet e Bashkuara, ku moderatori i njohur Jimmy Kimmel u pezullua pas kritikave të tij ndaj Donald Trump, ilustron një prirje të rrezikshme: fjala që shqetëson, në vend që të mbrohet, vihet nën shënjestër. Edhe në Shtetet e Bashkuara, ku liria e shprehjes mbrohet nga Amendamenti i Parë, kritika ndaj pushtetit nuk mbetet gjithmonë pa pasoja. Siç thekson Francis Balle, liria e shprehjes është gur themeli mbi të cilin qëndron demokracia dhe çdo lëkundje e saj e dobëson gjithë strukturën. Hannah Arendt ka paralajmëruar se frika dhe propaganda mund të kthehen në armë të pushtetit, ndërsa studiues bashkëkohorë kujtojnë se demokracitë rrënohen rrallë nga goditje të menjëhershme, por më shpesh nga një erozion i ngadaltë, ku kufizimet e vogla dhe të përsëritura mbi liritë krijojnë terrenin për një autoritarizëm të ri. Kjo prirje nuk është ekskluzive për Shtetet e Bashkuara. Në shumë vende që vetëquhen demokratike, liria e shprehjes është në rënie.
Në Turqi, mediat e pavarura janë dobësuar ndjeshëm, ndërsa dhjetëra gazetarë kritikë janë arrestuar. Në Hungari, Viktor Orbán ka vendosur një kontroll pothuajse total mbi peizazhin mediatik. Në Indi, presionet mbi mediat dhe rrjetet sociale po rriten në emër të një nacionalizmi mobilizues. Edhe brenda demokracive të konsoliduara shfaqen të njëjtat simptoma. Demonizimi i elitave, ngritja e figurës së liderit të fortë dhe instrumentalizimi i emocioneve kolektive dobësojnë gradualisht hapësirën për debatin e lirë. Tocqueville kishte paralajmëruar për “tiraninë e shumicës”, ku opinioni dominues dhe pushteti mund të reduktojnë në heshtje zërat e pakicës. Ballkani mbetet një laborator i veçantë i këtyre sfidave. Prej më shumë se tridhjetë vitesh, rajoni është angazhuar në reforma, integrim europian dhe procese demokratizimi.
Megjithatë, brishtësitë vazhdojnë të jenë të dukshme. Në Serbi, pluralizmi mediatik është kufizuar rëndë dhe kanalet kryesore televizive janë të afërta me pushtetin. Në Bosnje-Hercegovinë, tensionet etnopolitike shpesh zëvendësojnë debatin demokratik. Shqipëria, ndonëse ka bërë përparime të dukshme dhe është e angazhuar në proceset e integrimit europian, vazhdon të përballet me sfida të njohura për shumë demokraci në tranzicion: polarizim politik, perceptime mbi transparencën e zgjedhjeve dhe vështirësi për të garantuar një pluralizëm të plotë mediatik. Kjo gjendje shpesh e bën debatin publik më emotiv sesa racional. Nuk bëhet fjalë për të veçuar një vend, por për të theksuar se ky është një fenomen që prek një numër të gjerë demokracish.
Siç kujton Robert Michels me “ligjin e hekurt të oligarkisë”, edhe sistemet demokratike kanë prirje të krijojnë elita të ngushta, të cilat në mënyrë të pashmangshme kufizojnë hapësirën e fjalës së lirë. Këto zhvillime e bëjnë të vështirë tërheqjen e një vije të qartë mes demokracisë reale dhe pseudodemokracisë. Këto të fundit mbajnë formën e jashtme të demokracisë – zgjedhje, pluralizëm partish, kushtetutë, por boshatisin përmbajtjen e saj. Zgjedhjet zhvillohen, por shpesh janë të njëanshme; mediat ekzistojnë, por janë të intimiduara; opozita merr pjesë, por nën kushte të padrejta. Në këto kontekste, liria e shprehjes nuk mbytet përmes censurës së drejtpërdrejtë, por përmes presioneve të shpërndara: fushata diskreditimi, procese gjyqësore të panevojshme, kufizime ekonomike apo margjinalizim në hapësirat mediatike. Në disa vende, këto presione marrin formën e gjobave të rënda ndaj mediave private apo padive gjyqësore kundër botimeve kritike, siç ka ndodhur në rastin e proceseve të nisura nga Presidenti amerikan Trump ndaj “New York Times” dhe “Wall Street Journal”.
Rezultati shpesh është një klimë ku autocensura bëhet normë, ku kritika perceptohet si rrezik dhe ku demokracia rrezikon të reduktohet në një fasadë. Liria e shprehjes nuk është e fituar një herë e përgjithmonë. Ajo kërkon vigjilencë të përditshme nga qytetarët, guxim nga gazetarët dhe pavarësi nga institucionet. Francis Fukuyama thekson se institucionet demokratike nuk mbijetojnë vetëm falë inercisë: ato kanë nevojë për një angazhim të vazhdueshëm për t’u ruajtur dhe forcuar. Një demokraci nuk gjykohet vetëm nga frekuenca e zgjedhjeve, por nga aftësia për të mbrojtur fjalën që shqetëson. Sa kohë që zërat kritikë mund të shprehen pa frikë, sa kohë që media mund ta pyesë pushtetin pa pasoja, sa kohë që qytetarët mund të debatojnë lirisht, demokracia është gjallë. Heqja dorë nga liria e shprehjes është hapja e derës për arbitraritetin. Nga Shtetet e Bashkuara deri tek ne, përvoja tregon se demokracia mbetet e fortë dhe e besueshme vetëm kur mbron zërin kritik dhe garanton lirinë e fjalës./ Gazeta Panorama
