Sarah dhe Yaron ishin një çift i ri të cilët do të fejoheshin të cilët jetonin dhe punonin në Uashington. Të enjten e kaluar ata u vranë nga një terrorist me gjak të ftohtë.

Yaron Lischinsky, 30-vjeçari izraelito-gjerman, ishte asistent që merrej me kërkime në departamentin politik dhe punonte me grupin e think-tanks.

Sarah Milgram, 26-vjeçarja amerikane, ishte përgjegjëse për marrëdhëniet me komunitetin në departamentin e Diplomacisë Publike.

Të dy ishin punonjës në ambasadën izraelite në Uashington.

Personi i armatosur, një 30-vjeçar amerikan që dyshohet se është i lidhur me organizatat e majta ekstreme, ndërsa po arrestohej nga policia thërriste “Palestina e Lirë” dhe më vonë i tha policisë se e bëri vrasjen “për Palestinën.”

Por çfarë e bëri atë të rrinte në pritë në hyrjen e muzeut hebre dhe të qëllonte 21 plumba kundrejt një çifti të ri që nuk e ka takuar kurrë?

Në botën e sotme tepër të polarizuar, fjalët mbartin një fuqi të pashembullt. Ato mund të bashkojnë njerëzit, të frymëzojnë ndryshime pozitive dhe të sfidojnë padrejtësinë. Por ato gjithashtu mund të ndajnë, të nxisin urrejtje dhe të nxisin dhunën. Kur fjalët përdoren për të promovuar antisemitizmin, për të nxitur terrorizmin ose për të bërë thirrje për shkatërrimin e një shteti sovran, pasojat mund të jenë vdekjeprurëse. Një nga zhvillimet më alarmante të viteve të fundit është përdorimi në rritje i retorikës së dëmshme që rrethon konfliktin izraelito-palestinez – retorikë e cila jo vetëm thellon ndarjet, por gjithashtu të drejton në dhunën e botës reale. Nga vrasja e diplomatëve izraelitë e deri te lavdizimi i terrorizmit, kjo gjuhë nuk është thjesht një thirrje për ndryshim politik; është thirrje për gjakderdhje.

Globalizimi i Intifadës është një thirrje për të vrarë
Fjala “Intifada” i referohet kryengritjeve palestineze kundër pushtimit izraelit, që janë të shenjuara me nota dhune dhe terrorizmi. Fraza “globalizimi i intifadës” është bërë tërheqëse vitet e fundit dhe bën thirrje për përhapjen e rezistencës së dhunshme përtej kufijve të Izraelit dhe territoreve palestineze. Ky slogan nuk është thirrje për dialog paqësor apo protestë jo të dhunshme; është një thirrje për terrorizëm.

Të “globalizosh intifadën” do të thotë të inkurajosh përdorimin e dhunës, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në të gjitha komunitetet në mbarë botën. Kjo thirrje për dhunë ndërkombëtare është veçanërisht e rrezikshme sepse ajo nxit urrejtje kundër hebrenjve në nivel global, duke e bërë të qartë se objektivi nuk janë vetëm ushtarët apo politikanët izraelitë, por hebrenjtë në tërësi.

Kjo retorikë nuk dëmton vetëm izraelitët; dëmton gjithashtu edhe palestinezët. Perspektiva për paqen dhe aftësia për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për popullin palestinez minohen rëndë kur dhuna dhe terrorizmi lavdëzohen. Mbështetja e dhunës mbi dialogun vetëm sa përjetëson cikle vuajtjesh dhe parandalon çdo hap kuptimplotë drejt pajtimit ose vetëvendosjes për popullin palestinez.

Thirrja “Nga lumi në det”: Fshirja e Izraelit nga ekzistenca
Një tjetër frazë e rrezikshme që është bërë tërheqëse mes disa aktivistëve anti-izraelitë është thirrja “Nga lumi në det”, e cila i referohet idesë së një shteti palestinez që shtrihet nga lumi i Jordanisë deri në detin Mesdhe. Ndërkohë që disa pretendojnë se kjo është thjesht një shprehje solidariteti me aspiratat palestineze, nënkuptimet e saj janë shumë më tepër ogurzeza.

Mesazhi që fshihet pas thirrjes “Nga lumi në det” është një kërkesë e qartë për eliminimin e Izraelit si një shtet hebre. Izraeli, si një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe një shtet sovran i pranuar, ka të drejtë të ekzistojë brenda kufijve të sigurt dhe të njohur. Duke mbrojtur idenë e heqjes së Izraelit nga harta, kjo retorikë bën thirrje për shkatërrimin e një kombi të tërë – një akt që jo vetëm që do të zhdukte një vend, por gjithashtu do të zhdukte të drejtat e miliona hebrenjve që e quajnë atë shtëpi.

Një retorikë e tillë inkurajon mohimin e legjitimitetit të Izraelit dhe nxit antisemitizmin.

Justifikimi i terrorizmit: Një thirrje për të vrarë hebrenjtë
Një tjetër tendencë alarmante e disa grupeve dhe individëve është justifikimi i hapur që i bëhet organizatave terroriste siç është Hamasi, i cili është përgjegjës për vdekjen e mijëra civilëve përmes bombave vetëvrasëse, sulmeve me raketa dhe akteve të tjera të dhunshme. Qëllimi i deklaruar i Hamasit është shkatërrimi i Izraelit dhe krijimi i një shteti islamik. Ai nuk promovon paqen apo bashkëjetesën, por përkundrazi përkrah përdorimin e dhunës për të arritur objektivat e tij.

Kur individë ose grupe shprehin solidaritet me Hamasin, ata nuk mbrojnë të drejtat palestineze ose idenë për një zgjidhje paqësore të konfliktit izraelito-palestinez. Në vend të kësaj, ata janë duke mbështetur dhunën, vrasjen dhe shënjestrimin e civilëve, izraelitëve, hebrenjve por edhe palestinezëve që nuk i mbështesin ata. Kjo lloj mbështetjeje nuk është vetëm moralisht e dënueshme, por edhe strategjikisht e dëmshme për çështjen palestineze, pasi ajo përjetëson një narrativë dhune e cila tjetërson aleatët e mundshëm dhe minon çdo perspektivë për paqe.

Nuk ka asgjë të keqe në mbështetjen e të drejtave të popullit palestinez për vetëvendosje dhe një shtet sovran, si një zgjidhje paqësore në të cilën izraelitët dhe palestinezët jetojnë krah për krah në kufij të sigurt dhe të njohur.

Por mbështetja e zgjidhjes mes dy shteteve nuk kërkon eliminimin e Izraelit; përkundrazi, kërkon negociata, kompromise dhe njohje reciproke të së drejtës së njëri-tjetrit për të ekzistuar.

Vrasja e tmerrshme e Yaron dhe Sarah javën e kaluar na kujtoi se fjalët kanë pasoja. Retorika të tilla që ndezi situatën si “globalizimi i intifadës” ose “nga lumi në det” nuk shërbejnë si një rrugë drejt paqes, por si një thirrje për dhunë.

Mbështetja e ofruar për organizatat terroriste si Hamasi nuk është një thirrje për drejtësi; është një thirrje për vrasje.

Duhet të jemi të kujdesshëm për gjuhën që përdorim dhe ideologjitë që mbështesim. Nëse shpresojmë të arrijmë paqen, duhet të ndalojmë përhapjen e urrejtjes dhe të përqendrohemi në dialog, negociata dhe respekt të ndërsjellë.

*Galit Peleg është Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë 

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb