Mjaft studime në Gjermani e kanë konstatuar vetminë si fenomen mjaft të përhapur në Gjermani, jo vetëm tek mosha e thyer, por edhe mes të rinjve. Por në ditët e festave, vetmia bëhet therëse për mjaft persona që nuk kanë familje, i kanë humbur kontaktet me të apo të dashurit kanë ndërruar jetë. Shumë njerëzve në këto ditë u mungon ngrohtësia e familjes. “Një dritë për Ty” synon të jetë një projekt shpresëdhënës për të vetmuarit në Gjermani. Dy gra nga Baden-Württemberg, Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger iniciuan një projekt të shkrimit të letrave anonime, “Një Dritë për Ty” për të arritur njerëzit e vetmuar. Një angazhim, që tregon se si gjestet e vogla mund të kenë ndikim të madh.

Projekti “Një Dritë për Ty” filloi gjatë një takimi të rastësishëm në një kafene, rrëfejnë Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger. Ato po flisnin për Krishtlindjet, për ritualet, familjen dhe sa shumë kjo festë lidhet me ngrohtësi njerëzor. Në të njëjtën kohë kuptuan se sa shumë të moshuar e kalojnë këtë kohë vetëm, sidomos gjatë sezonit të Krishtlindjeve. Iniciativa e letrave për këta njerëz synon të jetë një dritë kundër vetmisë dhe një ndjesi e lidhjes me shoqërinë.

“Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para”
Sandra Gründlinger, e cila ka punuar në infermieri, e ka përjetuar nga afër se sa intensivisht ndihet vetmia, veçanërisht gjatë festave. Katharina Claus donte të përfshinte fëmijët që nga fillimi. Qëllimi ishte të krijoheshin pika kontakti dhe të rritej ndërgjegjësimi për këtë çështje në moshë të re. Ideja evoluoi në një iniciativë të hapur. Kushdo mund të shkruajë një letër, nuk kërkohej regjistrim ose donacione, vetëm një stilolaps dhe letër. Të dy iniciatoret theksojnë: “Nuk ka të bëjë me gjëra materiale. Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para.”

Letrat dërgohen në qendrat e kujdesit për të moshuarit si në Johanniterhaus-Tannenhof në Mosbach. Olga (89 vjeç), e cila jeton në këtë qendër të moshuarish rrëfen momentin, kur hapi letrën e shkruar me dorë nga Anna, të cilën nuk e njihte, dhe sa u emocionua. “Më shkoi ndërmend menjëherë përfytyrimi për dikë,” tha ajo. “Dikush që shkruan me kaq dashuri dhe respekt.” “Ju urojmë një Krishtlindje të gëzuar dhe të bekuar. Edhe nëse jeni në një azil pleqsh, kjo nuk do të thotë se jeni harruar.” – Anna. Mbi 90 letra anonime iu shpërndahen banorëve aty në prag të Krishtlindjeve.

Në projekt marrin pjesë edhe fëmijë nga rrethi i miqve dhe familjarëve të dy iniciatoreve. Të pyetur, të gjithë thanë se më parë kishin menduar shumë pak për temën e vetmisë. Por duke shkruar letrën, kuptuan se sa shumë mund të arrijnë edhe gjestet e vogla.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb