Më 24 prill 1987 – si sot para 37 vitesh – erdhi në Fushë Kosovë Sllobodan Millosheviqi. Deri në atë ditë ai ishte një aparatçik pothuaj i panjohur në Jugosllavi. Atë ditë u bë lider i serbëve. Ky ishte momenti kur u krijua miti i Millosheviqit si prijës i serbëve dhe Serbisë në betejën për Serbinë e Madhe dhe shkatërrimin e Jugosllavisë.

Millosheviqi iu drejtua serbëve lokalë, të cilët po ankoheshin se gjoja keqtrajtoheshin nga shqiptarët. Ndërsa lideri serb po fliste, jashtë godinës serbë të tjerë nisën të sulmojnë pjesëtarët e policisë (milicisë) së Kosovës, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Dikush nga serbët ia përçoi mesazhin Millosheviqit se policia po i keqtrajtonte serbët. Millosheviqi doli nga salla dhe iu drejtua serbëve lokalë me fjalinë: “Askush s’guxon t’ju rrahë!”

“Niko ne sme da vas bije!” është njëra nga fjalitë më famëkeqe që i parapriu luftërave në ish-Jugosllavi. Dy vite më vonë, më 28 qershor 1989, Millosheviqi mbajti në Gazimestan fjalimin e tij me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Para udhëheqjes shtetërore gjithë-jugosllave të prirë nga Janez Dërnovsheku, kryetar i kryesisë së Jugosllavisë, Millosheviqi tha se “gjendemi para betejave, të cilat nuk janë duke u zhvilluar me armë, ndonëse as beteja të tilla nuk përjashtohen”.

Në kujtimet e tij anëtari serb i presidencës jugosllave, Borisav Joviq, shkruan se si pala serbe e bindi Dërnovshekun të marrë pjesë në tubimin e Fushë Kosovës. Dërnovsheku frikësohej se Millosheviqi do të atakonte Slloveninë gjatë fjalimit të tij.

“Unë i thashë”, shkruan Joviq, “se mund të jetë i sigurt që ne nuk jemi të pakulturuar siç e imagjinojnë ata, që t’i ftojmë si mysafirë dhe pastaj t’ua shajmë nënën”. Millosheviqi vërtet nuk ua shau nënën sllovenëve, por paralajmëroi luftë kundër popujve të tjerë të Jugosllavisë që do i dilnin përballë ambicieve të tij kriminale.

Më 24 prill 1987, në ditën kur Millosheviqi erdhi në Fushë Kosovë, komandant i njësive policore kosovare ishte Destan Thaçi. Pas provokimeve dhe sulmeve të pareshtura nga serbët lokalë, të cilët vepruan sipas planit të orkestruar nga nëntoka politike e Beogradit, policia kosovare intervenoi dhe qetësoi situatën. Me heqjen arbitrare të autonomisë së Kosovës, Destan Thaçi u përjashtua nga puna si mijëra policë të tjerë të Kosovës.

Në histori asgjë nuk është përfundimtare: më 17 shkurt 2008 kolonel Destan Thaçi udhëhoqi operacionet policore në rajonin e Prishtinës. Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës filloi e mbaroi pa asnjë incident.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb