Flamurtari nuk ndalet! Mesfushori i majtë me tipare sulmuese, Nildo Viktor Zhufo, është goditja e shtatë në merkaton e verës. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit vlonjat konfirmuan pak orë më parë se është arritur marrëveshja me 24-vjeçarin brazilian, që prej tre sezonesh radhazi ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës.

Për trajnerin Shpëtim Duro, braziliani është një njohje e vjetër dhe bisedimet për arritjen e akordit nuk kanë zgjatur shumë, teksa lojtari me tipare sulmuese ka pranuar ofertën. Dje Zhufo ka prishur edhe kontratën me Shkëndijën, duke qenë zyrtarisht lojtar i lirë. Sot braziliani do të udhëtojë drejt Vlorës për të mbyllur kontratën e re me Flamurtarin, e cila pritet të jetë për një vit me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Mësohet se Zhufo do të përfitojë afro 5 mijë euro në muaj. Sipas të gjitha gjasave, mesfushori që luan në të dyja krahët, do të prezantohet sot zyrtarisht nga klubi i Flamurtarit. Pas largimeve të shumta, vlonjatët e çojnë në shtatë numrin e afrimeve, teksa në pritje të zyrtarizimit të Zhufos, janë konfirmuar lojtarë si Ditmar Bicaj, Ardit Hoxhaj, Adis Nurkoviç, Goran Siljanovski, Emiljano Musta dhe Muhamed Useini.

Trajneri Duro kishte paralajmëruar që merkatoja e Flamurtarit do të orientohej më shumë drejt kampionatit maqedonas dhe është fakt se tre nga 7 lojtarët e afruar deri më tani kanë qenë pjesë e Shkëndijës. Deri më tani Flamurtari ka nën kontratë vetëm 13 futbollistë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: