Flamurtari është i vendosur për ta përforcuar ekipin në çdo repart, madje duke dubluar edhe rolet, në mënyrë që të jetë konkurrues në rikthimin pas 5 vitesh në Kategorinë Superiore. Përforcimet kërkohen nga porta deri në sulm. Sa i përket kuadratit të portës, janë disa emrat e lakuar si kandidatë për të veshur fanellën e titullarit te Flamurtari.
Drejtuesit nuk do të kursehen për të gjetur elementët e duhur dhe “gjuetia” për portierin nisi nga “gardiani” i Kombëtares, Elhan Kastrati, i cili prej pesë vitesh luan te Çitadela në Itali, skuadër e cila së fundmi ka zbritur në Seria C. Mesa duket bisedimet me portierin e Kombëtares kanë ngecur diku, kështu që emra të tjerë po monitorohen nga kuqezinjtë. “Panorama Sport” mëson se në listën e merkatos për përforcimin e skuadrës vlonjate janë edhe dy portierë që në përfundim të sezonit të fundit në Superiore kanë dalë të lirë. Pikërisht bëhet fjalë për ganezin e Elbasanit, Razak Abalora, si dhe ish-portieri i Kukësit dhe Teutës, Angelo Tafas. Tani mbetet për të parë se cili nga emrat e mësipërm do të marrë bekimin e bordit të merkatos së Flamurtarit, që të jetë pjesë e vlonjatëve në Superiore.
28-vjeçari Abalora luajti 27 ndeshje me Elbasanin në kampionat dhe një ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Portieri ganez humbi vendin e titullarit në fundin e sezonit, ku u fol për një prisje me klubin, pasi nuk pranoi të rinovonte me verdheblutë. Abalora është një portier me eksperiencë, që e ka treguar veten edhe në kampionate të tjera, ku më shumë ka spikatur si pjesë e gjigantëve të Moldavisë, Sherif Tiraspol. 24-vjeçari Angelo Tafas në sezonin e tij të parë me Teutën, pas largimit nga Kukësi, ishte titullar i padiskutuar te “Djemtë e detit”, ku u aktivizua në 32 ndeshje në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë.
Të dy portierët e mësipërm janë të lirë, ndaj i bie që drejtuesit e Flamurtarit të përzgjedhin të duhurin. Nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë emër tjetër, që mund të parakalojë të gjithë të lartpërmendurit në sprintin final. Nisur nga zhvillimet e fundit, i bie që portieri Stivi Frashëri të largohet nga Vlora, ndërsa Ariol Kaloshi të qëndrojë si portier i dytë.
3 portierë po lakohen gjatë kësaj periudhe merkatoje si kandidatë për të rrëmbyer postin e titullarit të Flamurtarit të elitës. Pas Elhan Kastratit, në skenë kanë dalë Razak Abalora dhe Angelo Tafas.
