Flamurtari i dënuar për fitore ndaj Vllaznisë, drejtuesit vendosin ultimatum për skuadrën. Situata te Flamurtari nuk është e qetë në prag të sfidës së radhës në kampionat.
Skuadra vlonjate duket se është e “dënuar” për të marrë vetëm fitoren në ndeshjen e së dielës, ku në stadiumin e Vlorës do të presë kryesuesen e kampionatit, Vllazninë e Shkodrës. Kuqezinjtë ndodhen aktualisht në vendin e fundit të renditjes me 21 pikë, po aq sa ka edhe Tirana e vendit të parafundit.
Kjo situatë e vështirë në tabelë ka shtuar presionin mbi skuadrën, ndërsa drejtuesit e klubit kanë vendosur një ultimatum të qartë për futbollistët. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se drejtuesit kërkojnë vetëm fitoren, duke qenë se ndeshja luhet në shtëpi dhe përballë tifozëve vlonjatë. Sipas tyre, në këtë moment të sezonit nuk ka më vend për gabime apo hapa fals.
“Nuk do të ketë më tolerime. Ndeshjet në shtëpi duhet të fitohen patjetër”, është mesazhi që drejtuesit kanë përcjellë brenda skuadrës në prag të përballjes me shkodranët. Megjithatë, përballë Flamurtarit do të jetë një kundërshtar mjaft i fortë. Vllaznia kryeson renditjen dhe po zhvillon një sezon shumë të mirë, çka e bën edhe më të vështirë misionin e vlonjatëve për të marrë tri pikët. Drejtuesit e klubit presin reagim nga skuadra dhe një paraqitje krejtësisht ndryshe nga ajo e deritanishme. Ata besojnë se faktori fushë dhe mbështetja e tifozëve mund të ndikojnë pozitivisht në rezultat.
OPERACIONI FSHESA – Ndërkohë, një tjetër çështje që po diskutohet në ambientin e klubit lidhet me të ardhmen e disa lojtarëve. Sipas informacioneve, një humbje në këtë sfidë mund të sjellë edhe largime nga skuadra. Nuk janë bërë ende të ditur emra konkretë, por mësohet se drejtuesit janë të gatshëm të ndërpresin kontratat me futbollistët që nuk kanë arritur të justifikojnë pritshmëritë dhe besimin e klubit. Sfida ndaj Vllaznisë shihet si një moment kyç për ecurinë e sezonit të Flamurtarit. Një fitore do të rikthente shpresën për mbijetesë, ndërsa një tjetër rezultat negativ mund ta thellojë edhe më shumë krizën në klubin vlonjat.
SËMUNDJA E MORIEROS – Situata mbetet e paqartë edhe në pankinë. Çështja e trajnerit italian Françesko Moriero është kthyer në një lloj telenovelë për klubin vlonjat. Praktikisht, duket se aventura e tij te Flamurtari është drejt fundit. Edhe pse zyrtarisht nuk ka një njoftim përfundimtar, burime pranë klubit bëjnë me dije se Moriero vuan nga një problem shëndetësor në “veshin e mesëm” dhe mund të ketë nevojë për trajtim jashtë vendit. Megjithatë, në ambientin sportiv qarkullon ideja se kjo situatë mund të jetë edhe një mënyrë për të mbyllur bashkëpunimin me trajnerin italian pa krijuar probleme financiare për klubin. Në këto rrethana, Flamurtari do të drejtohet edhe në ndeshjen e së dielës nga stafi teknik shqiptar, nga zëvendës trajnerët. Në pankinë pritet të jenë Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj, të cilët do të marrin përgjegjësinë për të udhëhequr skuadrën në këtë përballje shumë të rëndësishme.
