Parakalimi i maturantëve në veri të Mitrovicës, i zhvilluar të premten më 23 maj, u shndërrua në një incident që kërkoi ndërhyrjen e policisë. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, foli sot për këtë ngjarje.
Ai tha se gjatë parakalimit në zonën pranë kafeneve, disa prej pjesëmarrësve filluan të provokojnë qytetarët duke thirrur “Kosova është zemra e Serbisë” dhe duke bërë shenja simbolike me tre gishta. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, policia ndërhyri në mënyrë që ngjarja të mos dalë jashtë kontrollit.
Hoxha shtoi se njëri nga efektivët e policisë, i cili u pa në pamje duke ndërhyrë, ka marrë kërcënime me jetë. Ai u sulmua në rrjetet sociale nga grupe serbe në veri, të cilat bënin thirrje për vrasjen e tij, madje duke e quajtur atë “kufomë”. Për shkak të sigurisë, polici u transferua në Mitrovicën e Jugut, për të shmangur ndonjë incident tjetër.
Drejtori po ashtu përmendi se fletarresti i lëshuar nga Serbia kundër këtij polici është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndjekur policët e Kosovës.
Ai tha se kjo është një propagandë e orkestruar, që tregon se Policia e Kosovës është objekt sulmesh hibride, të cilat vijnë nga Beogradi zyrtar.
