Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që Kuvendi të marrë masa disiplinore ndaj socialistit Taulant Balla, pas përdorimit të asaj që opozita e konsideron “gjuhë joparlamentare”, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit.
PD ka kërkuar me anë të një shkrese drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën përjashtimin e tij nga seancat parlamentare, duke argumentuar se sjellja e Ballës përbën shkelje të rregullores dhe etikës së Kuvendit.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, PD ka cituar frazat e Ballës dje drejtuar deputetëve të opozitës kur u shpreh: “Flisni për lepuj, por po folët për lepuj, duhet të flisni edhe për zagarët, sepse lepurin në pritë e sjell zagari”.
Kuvendi pritet të shqyrtojë kërkesën e opozitës dhe mbetet të shihet nëse ndaj Ballës do të ketë masë disiplinore apo nisma do të rrëzohet.


