Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj sjelljes së opozitës gjatë seancës plenare të sotme, duke i akuzuar për bllokim të qëllimshëm të punimeve të Kuvendit dhe për përdorim të politikës si mjet tensioni, jo debati.

Në fjalën e tij, Klosi u shpreh se procesverbalet e seancave duhet të pasqyrojnë qartë se qëllimi i punës parlamentare është debati konstruktiv, jo përplasja dhe pengimi i të drejtës së fjalës.

“Në procesverbal duhet të shkruhet qartë: këtu vijmë për të folur, jo për t’u zënë. Ajo që kërkuam ishte e thjeshtë, të na jepej fjala për të thënë mendimet tona, jo të bllokohej foltorja siç ka ndodhur shumë herë më parë,” tha Klosi.

Ai kujtoi se sjellje të tilla nga opozita nuk janë të reja dhe se në seancën e fundit, për shkak të kaosit të krijuar, nuk u lejua as kryeministri dhe as deputetët të shpreheshin.

“Sa herë e keni bllokuar foltoren e Kuvendit? Kjo ndodhi sërish në seancën e fundit. Nuk u lejua as kryeministri dhe as deputetët të flisnin. Dhe kur kjo ndodh, në bazë të rregullores, kalojmë në votim,” theksoi ai.

Në një pjesë të ndërhyrjes së tij, Klosi pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për disa deputetë të opozitës që, sipas tij, përpiqen të imponohen me sjellje agresive.

“Flisni, po mos bëni si të fortë, se nuk jeni. Asnjë nga ju nuk është as i fortë, as rrugaç,” u shpreh Klosi.

Ai gjithashtu ironizoi kritikat e opozitës ndaj ministres së Inteligjencës Artificiale, duke përmendur kreun e PD-së, Sali Berishën, dhe praktikat e tij gjatë kohës në Kuvend.

“Flisni për Diellën, po sa herë ka dalë Sali Berisha aty me iPad, duke nxjerrë ‘qytetarin digjital’ përfundoi Klosi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb