Aktori dhe aktivisti Florian Binaj, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka apeluar për angazhim dhe mobilizim qytetar në protestat kundër qeverisë. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se këtë të shtunë do t’i bashkohet protestës së organizuar nga Adriatik Lapaj.

Në mesazhin e tij, Binaj thekson se protestimi është “një detyrim themelor i çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, të grabitet dhe të përbuzet”. Sipas tij, heshtja e shoqërisë i jep hapësirë dhe kurajë qeverisë për abuzime, ndërsa reagimi dhe bashkimi në protesta janë mjetet e vetme që e detyrojnë pushtetin të tërhiqet.

Aktori shprehet se vendi po ecën në një drejtim të gabuar dhe se ka ardhur koha që qytetarët të reagojnë, përtej ndasive partiake, për të mbrojtur interesin publik.

Më herët gjatë ditës, Florian Binaj iu bashkua protestës së Adriatik Lapajt, i cili prej disa ditësh po proteston në sheshin përpara Kryeministrisë. Ai njoftoi se do të marrë pjesë në të gjitha protestat e paralajmëruara, përfshirë ato të Partisë “Mundësia”, lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe Partisë Demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb