Fluksi i automjeteve në prag të fundjavës ka sjellë ngarkesë të shtuar në autostradën Tiranë–Elbasan, ku mijëra qytetarë janë nisur drejt Elbasanit dhe zonave të tjera të juglindjes së vendit.

Rritja e numrit të mjeteve ka shkaktuar trafik të rënduar, kryesisht në hyrje të qytetit të Elbasanit dhe në disa segmente të këtij aksi rrugor, ku gjatë fundjavave krijohen shpesh ngadalësime.

Për menaxhimin e situatës, Policia Rrugore e Elbasanit ka shtuar praninë në terren, duke angazhuar efektivë në pikat më problematike të qarkullimit. Monitorimi po kryhet në segmentet Shinjon–Bradashesh, Rrethi i Luleve dhe Kryqëzimi i Cërrikut, zona ku për shkak të fluksit të lartë krijohen vështirësi në lëvizjen e automjeteve.

Sipas të dhënave nga terreni, qarkullimi vijon të jetë i ngadalësuar, por pa bllokime të plota. Kolonat e mjeteve lëvizin gradualisht dhe deri tani nuk janë raportuar incidente që të kenë përkeqësuar situatën.

Patrullat e Policisë Rrugore do të vijojnë monitorimin e aksit gjatë gjithë mbrëmjes, me qëllim menaxhimin e trafikut, parandalimin e parakalimeve të rrezikshme dhe garantimin e sigurisë rrugore.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të policisë, pasi fluksi drejt Elbasanit dhe zonave të tjera të juglindjes pritet të vijojë edhe në orët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb