NGA Erjon SKENDAJ
TIRANE- Në 24 orët e fundit janë raportuar edhe 4 raste të reja me Fruth në Pediatrinë e QSUT, çka e çon në 17 numrin e të infektuarve nga virusi ngjitës.
Burime për “News 24” nga Shërbimi Infektiv thonë se gjendja e 11 fëmijëve që mbahen ende të shtruar në pavijon është nën kontroll dhe nuk paraqet asnjë rrezik. Më rëndë paraqitet situata shëndetësore për dy fëmijë që kanë patur komplikacione të rrugëve respiratore, pneumoni, porse edhe në këtë rast mjekët thonë se nuk ka rrezik për jetën. Ndërkohë mësohet se 6 fëmijë të kuruar me Fruth kanë lënë spitalin.
Fëmijët e prekur nga virusi i Fruthit janë të gjithë nën moshën 3 vjeç e mes tyre ka edhe fëmijë nën dy vjeç të gjithë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila të mbron 100% nga Fruthi, shytat dhe rubeola.
Shkak për mosvaksinimin në moshën 1-vjeçare të fëmijëve janë prindërit që mendojnë se vaksina shkakton efekte anësore të spektrit autik. Mes prindërve që nuk i vaksinojnë fëmijët ka edhe besimtarë të disa sekteve brenda besimit islam që mendojnë se vetë vaksina është përhapës i sëmundjeve të rënda.
Po ndërsa shërbimi i Urgjencës në Pediatrinë e QSUT po përballet me një fluks tepër të lartë urgjencash në qendrat shëndetësore të Tiranës nuk ka pacient. Kjo edhe pas vendimit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka urdhëruar 4 qendra shëndetësore në Tiranë, numër 6, 7, 8 dhe 10, që të kalojnë me shërbim pritës 24 orë për urgjencat mjekësore.
PO ÇFARË ËSHTË FRUTHI?
Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar. Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarrjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
Fruthi mund të bëhet një sëmundje serioze për të gjithë grup-moshat. Megjithatë, fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç mund të shfaqin ndërlikime më të rënda të kësaj sëmundje.
Ndërlikim i zakonshëm i fruthit është infeksioni i veshit. Ky ndërlikim prek 1 në 10 fëmijë me fruth dhe mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit.
Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të fruthit si: pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spital dhe mund të shkaktojnë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv.
• 1 në 20 fëmijë me fruth shfaq pneumoni dhe ky është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga fruthi te fëmijët.
• 1 në 1000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të çojë në vdekje apo paaftësi intelektuale të mëvonshme.
• Ndodhin 1-2 vdekje, për çdo 1000 të sëmurë me fruth.
• Fruthi tek gratë shtatzëna shkakton lindje të parakohshme, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.
Ndaj ISHP apelon prindërit që të vaksinojnë sa janë në kohë fëmijët me vaksinën MMR duke garantuar se nuk mbart asnjë rrezik për fëmijët dhe se ofron mbrojtje nga sëmundja infektive për të gjithë jetën.
Si dhe është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e fruthit. Vaksina MMR (Fruth-Rubeole-Parotit) është një vaksinë që e mbron fëmijën nga tre sëmundje njëherësh. Fëmijët e marrin vaksinën e parë të fruthit në moshën 1 vjeç, dhe dozën e dytë të saj në moshën 5 vjeç. Të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar asnjëherë ndaj fruthit, apo kanë marrë vetëm një doze vaksinë gjatë jetës, mund ta bëjnë këtë vaksinë pranë qendrave shëndetësore përkatëse.
Ekspertët e ISHP sqarojnë popullatën se të gjithë ata që e kanë kaluar një herë në jetë fruthin janë të imunizuar dhe po kështu edhe të vaksinuarit ku bëjnë përjashtim të lindurit në dhjetëvjeçarin 80-90 që nuk e kanë kaluar sëmundjen duhet të rivaksinohen nga e para pasi në atë periudhë nuk ka funksionuar zinxhiri i ruajtjes së vaksinës.
(el.sp/BalkanWeb)
