Për 4 orë me radhë në Pikat e Kalimeve Kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë puna u pezullua këtë të hënë, për shkak të protestës së lajmëruar nga doganierët e shtetit fqinj. Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit njoftoi se në pikat doganore të Kakavijës në Gjirokastër dhe Tre Urat në Përmet lëvizja e automjeteve nga të dyja shtetet u pezullua që prej orës 7:00 dhe pritet të zgjasë deri 11:00, me orën shqiptare.

Nga ana tjetër, në dy pikat e tjera kufitare, atë të Kapshticës në Devoll dhe në Qafë-Botë pezullimi i hyrje daljeve nisi prej orës 05:00 të mëngjesit dhe vijoi deri në orën 09:00. Ndërkohë, sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, u lejuan të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, si ambulancat.

Protesta është organizuar nga Sindikata e Punonjësve të Doganave Greke, të cilët kërkojnë shtim të personelit, përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagave, si edhe zbatimin e angazhimeve të marra nga qeveria greke për administratën publike. Doganierët kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat mund të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb