Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike globale, duke vlerësuar se ekonomia botërore do të zgjerohet më shumë se sa ishte parashikuar në prill. Kjo rritje, sipas FMN-së, vjen si rezultat i zbutjes së disa tarifave amerikane, rritjes së importeve në SHBA dhe veprimeve të disa qeverive për të nxitur aktivitetin ekonomik.

FMN parashikon që ekonomia globale do të rritet me 3% në vitin 2025 dhe 3.1% në vitin 2026, një përmirësim i lehtë krahasuar me parashikimet e mëparshme prej 2.8% dhe 3%.

Megjithatë, këto shifra mbeten nën pritshmëritë e janarit, përpara se Presidenti amerikan Donald Trump të merrte detyrën, kur FMN parashikonte një normë prej 3.3% për të dy vitet dhe shumë më poshtë se mesatarja historike para pandemisë prej 3.7%.

Në fokus të raportit të fundit janë importet amerikane, të cilat u rritën ndjeshëm pasi kompanitë u përpoqën të parandalonin ndikimin e tarifave të reja që Trump kishte paralajmëruar. Kjo lëvizje, megjithatë, krijon rreziqe të reja ekonomike.

“Firmat që kanë grumbulluar stok në pritje të tarifave më të larta mund të përballen me kosto të rritura të magazinimit, rrezik të mallrave të vjetëruara dhe më pak nevojë për importe në muajt në vijim,” thuhet në deklaratën e FMN-së.

FMN paralajmëron gjithashtu se rritja e tarifave dhe pasiguritë politike mund të ngadalësojnë aktivitetin ekonomik në periudhën afatshkurtër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb