Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, ka mbajtur sot një fjalim nga foltorja e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë.

Balliu deklaroi se ishte kthyer nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku sipas tij kishte diskutuar me përfaqësues ndërkombëtarë mbi situatën në Shqipëri. Ai tha se bashkëbiseduesit e tij ishin habitur kur, sipas pretendimeve të tij, kishte folur për ndikim të jashtëligjshëm në sigurinë kombëtare nga Ergys Agasi.

Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për kapje të shtetit dhe e cilësoi atë si “narkoqeveri”, duke pretenduar se emërimet dhe vendimmarrjet kryesore bëhen në mënyrë të centralizuar dhe në shkelje të standardeve demokratike.

Ai sulmoi gjithashtu shumicën socialiste, duke e akuzuar për lidhje me krimin ndër vite dhe duke kundërshtuar etiketimin e opozitës si “parti e dhunës”.

Klevis Balliu: Sapo jam kthyer nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku në epiqendër të diskutimeve ishte çështja e sigurisë. Atje më duhej të diskutoja me kolegë ndërkombëtarë dhe t’u shpjegoja se si është e mundur që një vend i bekuar të jetojë në varfëri ekstreme.

Kur u tregoja se si koordinatori Gys Agasi kontrollonte sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ata nuk u besonin veshëve. Falë Zotit, sot më shumë se çdo herë tjetër, akuzat e opozitës janë vërtetuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare dhe nuk ka të huaj që nuk e di se në Shqipëri ka një narkoqeveri.

Ata dalin me një tjetër skemë për të mbrojtur aferën e AKSHI-t, përmes të ashtuquajturës qeveri elektronike. Emërimet bëhen në mënyrë direkte, me VKM nga Edi Rama dhe 4–5 bashkëpunëtorë të tij. Aty fshihen kartelet e Suel Çelës dhe Çopjave.

Kjo qeveri ka fytyrë të dalë e të na quajë parti të dhunës. Partia Socialiste për 50 vjet ka vrarë qytetarë, më pas u rrëzua nga Partia Demokratike dhe u rikthye në pushtet me figura si Zan Çaushi. Në vitin 1998, si asnjë parti tjetër, i bëri atentat deputetit të opozitës, Azem Hajdarit. Janë po këta që asgjësuan dhe vranë liderin e demokracisë në selinë e PD-së.

U rikthyen në pushtet në vitin 2013 me kartele si Çopjat, Troplinët dhe Suel Çela. Dhe sot këta na flasin ne për parti dhune. Ne jemi parti e misionit: forcimi i demokracisë dhe integrimi i Shqipërisë në Evropë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb