Drejtuesi politik i PD në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, duke folur në takimin e Foltores me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Lezhë, theksoi se sot Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të errëta të demokracisë.
Gjekmarkaj u shpreh se sot korrupsioni është bërë sistem, shteti nuk i shërben qytetarëve, dhe drejtësia pengohet nga qeveria.
Sipas tij, rasti i aferave të Belinda Ballukut dhe skandalit të AKSHI-t ka dokumentuar se kryeministri Rama po pengon drejtësinë.
“Pengimi i drejtësisë nga Edi Rama është i qartë dhe i dokumentuar. Rasti flagrant i zv.kryeministres dhe aferat e AKSHI-t, me miliona të shpërdoruara, janë prova se korrupsioni nuk është përjashtim, por rregull në vendin tonë”, tha ai.
Gjekmarkaj: Jemi mbledhur për të përkujtuar 35-vjetorin e themelimit të PD-së, një forcë politike që ndryshoi rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Sot është një ditë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata burra dhe gra që patën guximin të qëndrojnë kundër diktaturës, për ata që hodhën themelet e pluralizmit politik, dhe respekt për njërit që udhëhoqi Shqipërinë drejt lirisë, demokracisë dhe përparimit, Sali Berisha.
Falë kësaj force politike dhe këtij lidershipi, Shqipëria arriti në rezultate historike: liberalizimin e vizave, antarësimin në NATO, ndërtimin e infrastrukturës moderne si Rruga e Kombit, asfaltimin e 11 mijë kilometrave rrugë në të gjithë vendin, ndërtimin e shkollave, rritjen e pagave dhe pensioneve, forcimin e shtetit ligjor dhe goditjen e krimit.
Sot, Shqipëria po përjeton një nga periudhat më të errëta të demokracisë. Zgjedhjet e 11 majit u vodhën, vota u dhunua, administrata u përdor, dhe shteti u shndërrua në parti. Korrupsioni është bërë sistem, skandalet nuk kanë fund, dhe shteti nuk i shërben më qytetarëve, por një kaste të mbyllur pushteti, e lidhur me tendera klienteliste dhe interesa familjare. Shteti është kthyer në sekser, jo në garant të ligjit. Pengimi i drejtësisë nga Edi Rama është i qartë dhe i dokumentuar. Rasti flagrant i zv.kryeministres dhe aferat e AKSHI-t, me miliona të shpërdoruara, janë prova se korrupsioni nuk është përjashtim, por rregull në vendin tonë.
Qytetarët varfërohen, të rinjtë largohen, dhe nuk përballojnë jetesën. Përballë kësaj situate, heshtja është bashkëfajësi, qëndresa është e vetmja shpresë. Shqipëria ka nevojë për rezistencë qytetare, për protesta, për një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për dekriminalizimin e shtetit, të zyrave politike, të ekonomisë, të tenderave dhe të çdo cepi ku sot sundon korrupsioni dhe lidhja me narkotrafikun.
Kasta e rilindjes nuk përfaqëson shqiptarët, por vetëm familjarët e vet dhe oligarkët e vet. Koha ka ardhur që të kthejmë Shqipërinë tek shqiptarët, të kthejmë shtetin tek qytetari, të vendosim ligjin mbi të fortët, shpresën tek të rinjtë dhe dinjitetin tek puna e ndershme.
PD lindi si një lëvizje shprese, dhe sot, pas 35 vitesh, duhet të jetë zëri i atyre që nuk kanë zë. Ndaj, i nderuar Berisha, demokratë, historia na ka provuar se kur jemi të bashkuar, ne fitojmë, kur jemi të vendosur, Shqipëria ecën përpara.
