Nënkryetari i Këshillit Bashkiak i Tiranës Dorian Teliti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar për situatën aktuale në televizionin News24 ku punonjësit dhe gazetarët nuk janë lejuar të hyjnë në redaksi nga policia ushtarake duke mos zbatuar edhe vendimin e gjykatës.
Teliti shkroi se në një moment kur Shqipëria po përballet me zjarret në të gjithë vendin, forcat ushtarake nuk po përdoren për shuarjen e flakëve, por për goditjen ndaj medias së lirë dhe gazetarëve.
Sipas Telitit këto akte të paprecedentë kërkojnë dënim të ashpër dhe reagim urgjent nga qytetarët, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Postimi i Dorian Telitit:
DËRGONI USHTRINË PËR TË LUFTUAR FLAKËT, JO MEDIAN E LIRË!
Në Shqipëri ndodh e paimagjinueshmja: policia ushtarake ndalon hyrjen e gazetarëve të News24 në ambientet e punës, pavarësisht një vendimi gjykate që i jep të drejtë ligjore medias.
Kjo është shkelje brutale e lirisë së shtypit, një akt i pastër shtetëror dhune ndaj fjalës së lirë dhe informimit publik.
Në vend që të dërgojë ushtrinë për të shuar flakët që po djegin Shqipërinë, qeveria përdor forcën ushtarake kundër gazetarëve!
Ku ta gjejnë të drejtën gazetarët kur vetë shteti nuk zbaton vendimet e gjykatës?
Këto akte të paprecedentë duhen dënuar ashpër dhe lipset për reagim të menjëhershëm nga qytetarët, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Media e lirë është shtyllë e demokracisë
(BalkanWeb)
