Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u takua sot në Estoni me liderët e vendeve nordike dhe baltike, duke marrë pjesë si i ftuar në samitin e vendeve të grupit NB8 (Nordic-Baltic Eight), “Tetë vendet nordike-baltike”.

Në kryeqytetin estonez, Talin, Zelensky zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me disa kryeministra të rajonit, si dhe me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

Grupi NB8 përfshin Suedinë, Finlandën, Norvegjinë, Islandën, Danimarkën, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

“Do të diskutojmë se si mund të forcojmë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës, të rrisim presionin ndaj Rusisë dhe ta bëjmë Evropën në tërësi më të sigurt”, deklaroi para nisjes së samitit kryeministri estonez, Kristen Michal.

Vendet nordike dhe baltike konsiderohen ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës, e cila prej më shumë se katër vitesh po përballet me agresionin ushtarak rus.

Sipas Kancelarisë Shtetërore të Estonisë, tetë vendet e grupit – pesë prej të cilave kufizohen me Rusinë – kanë ofruar deri më tani mbi 42 miliardë euro ndihmë për Ukrainën.

Në raport me numrin e popullsisë, kjo përfaqëson kontributin më të lartë për frymë në botë.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe parandalimi i incidenteve me dronë, që hyjnë në hapësirën ajrore të vendeve fqinje.

Gjatë luftës në Ukrainë, dronët ukrainas, që kanë humbur kursin kanë hyrë disa herë në hapësirën ajrore, të vendeve baltike dhe të Finlandës, ndërsa disa prej tyre janë rrëzuar.

Këta dronë ishin përdorur nga Kievi për sulme ndaj objektivave, në veriperëndim të Rusisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb