Që nga viti 1996, Çmimi i Madh i Australisë hap shpesh sezonin botëror të Formulës 1 dhe me njëvendëshe ende në fazë testimi si dhe me pilotë të etur pas pushimit dimëror, Melburni është shndërruar në skenën ideale për incidente të bujshme.
Pista e ndërtuar rreth liqenit ndërthur segmente shumë të shpejta me kthesa teknike ku gabimi nuk fal. Pikërisht në këtë skenar kanë lindur pamje që kanë mbetur të skalitura në kujtesën e Formulës 1.
PËRPLASJA QË TRONDITI STARTIN – Episodi simbol mbetet ai i vitit 2002, kur në start Ralf Shumaker u përplas me Rubens Barrikelon në kthesën e parë. Uilliamsi u ngrit mbi Ferrarin në një skenë pothuajse surreale, duke shkaktuar një karambol që nxori jashtë garës disa makina ende pa marrë formë gara. Ishte një përplasje shumë e fortë, por fatmirësisht pa pasoja të rënda fizike, një dëshmi se sa shumë kanë ndryshuar standardet e sigurisë krahasuar me epoka të tjera, kur incidente të tilla do të kishin pasur pasoja dramatike.
FRIKA E EPOKËS MODERNE – Në vitin 2016, publiku mbajti frymën pas aksidentit të Fernando Alonsos, i cili pas kontaktit me Esteban Gutierrezin u përplas me barrierat duke u rrotulluar disa herë në ajër. Kokpiti rezistoi dhe spanjolli doli pothuajse i padëmtuar nga një makinë e shkatërruar plotësisht. Më së fundmi, edhe incidente si ai i Xhorxh Rasëllit, i përfunduar në barriera në një finale kaotike, kanë rindezur debatin mbi konfigurimin e disa kthesave të shpejta. Në kujtesë do të mbeten edhe lotët e Isak Haxharit, sot shok skuadre i Maks Vershtapenit.
Vitin e kaluar, në debutimin e tij absolut në Formula 1, ai përfundoi në barriera që në xhiron e formimit, në një Çmim të Madh të kushtëzuar nga shiu. Por rasti i Haxharit nuk ishte i vetmi episod dramatik. Xhek Dohan goditi murin, duke shënuar fillimin e fundit të aventurës së tij të shkurtër me makinën Alpine.
Kujtim i hidhur edhe për pilotin vendas Oskar Piastri, ai dhe Norris, me britanikun në krye, dolën jashtë trajektores për shkak të pistës së lagësht. Norris arriti të fitojë, ndërsa Piastri, pas një rikthimi të fortë, e mbylli garën në vendin e nëntë. Kështu, cirkuiti “Albert Park” mbetet një nga skenat më spektakolare të kampionatit botëror, një pistë magjepsëse dhe teknike, por e aftë të shndërrohet brenda pak sekondash në një kurth me shpejtësi të lartë.
