Në prag të garës në Brazil, Xhorxh Rasëll ka folur në lidhje me zërat që shohin Maks Vershtapenin te Mercedesi në vitin 2027. Britaniku tha se mundësia për të ndarë skuadrën me kampionin e botës nuk e shqetëson dhe se, sipas tij, nuk është e nevojshme të jesh mik i ngushtë për të pasur një partneritet të suksesshëm në garë.

“Përshëndetemi. Nuk flasim shumë, por as nuk e injorojmë njëri-tjetrin”, tha Rasëll për marrëdhënien e tij me holandezin. “Jeta është e shkurtër. Të gjithë jemi të rritur dhe të gjithë mësojmë nga përvojat. Nuk ke pse të jesh mik i ngushtë për të qenë bashkëpilot i mirë”, shtoi piloti i Mercedesit.

Duke iu referuar historisë së F1, Rasëll kujtoi disa dyshe që kanë dominuar kampionatin pa pasur marrëdhënie të ngushta jashtë pistës: “Sena dhe Prost nuk ishin miq të mirë, por përfunduan i pari dhe i dyti. Edhe Hamilton dhe Rosberg, i pari dhe i dyti”, theksoi ai. Megjithatë, Rasëll përmendi një “përjashtim”: “Sigurisht, Hamilton dhe Fernando janë një përjashtim i jashtëzakonshëm… por Luis duhej ta kishte fituar atë vit” shtoi Rasëll, duke iu referuar sezonit 2007, kur MekLareni humbi të dy titujt në garën e fundit të kampionatit.

Edhe pse MekLareni kishte makinën më të mirë, lufta e brendshme mes Hamiltonit dhe Alonsos i hapi rrugën Kimi Raikonenit për të fituar titullin e parë dhe të vetëm botëror të karrierës së tij. Një situatë që, sipas Rasëllit, ka ngjashmëri me atë që po ndodh këtë sezon me Norrisin, Piastrin dhe Vershtapenin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb