Katër herë, kampioni i botës, Sebastian Fetel, ka konfirmuar se kapitulli i Formulës 1 për të është i përfunduar, duke shuar zërat për një rikthim të mundshëm pas thashethemeve që kishin qarkuar së fundmi.
Piloti gjerman u tërhoq nga Formula 1 në fund të sezonit 2022, por kjo nuk i ndaloi zërat për një rikthim të tij, jo vetëm si pilot. Kohët e fundit, madje Fetel u përmend në mediat e automobilizmit se ka qenë në bisedime me Red Bullin, skuadër ku ai ishte pilot nga viti 2009 deri në vitin 2014 dhe fitoi katër tituj kampionë. Por këtë herë gjermani u pa si potencial për të marrë rolin e Helmut Markos si këshilltar në ekipin austriak.
Megjithatë, gjatë një interviste me “Auto Motor und Sport”, 38-vjeçari konfirmoi se koha e tij si pilot në F1 ka mbaruar, por nuk foli për mundësinë e rikthimin në rolin e këshilltarit te Red Bulli. “Formula 1 ka mbaruar”, shpjegoi Fetel, i cili më tej vijoi: “Në njëfarë pike, vjen edhe momenti kur duhet t’ua lirosh vendin të tjerëve dhe mendoj që është diçka pozitive që shumë pilotë të janë zëvendësuar nga të rinjtë debutues.
Kjo nuk është një votë e imja kundër veteranëve, por në favor për të rinjtë. Në kohën kur garoja nuk më interesonte se sa pilotë të vjetër do ta mbyllin karrierën. Për mua kishte rëndësi që të isha vetë në pistë duke drejtuar”, u shpreh Fetel.
Ish-piloti i Red Bullit në fund deklaroi se Kampionati Botëror në kategorinë “Endurance” mund të jetë një zgjedhje e mirë për të. Nuk dua ta përjashtoj këtë mundësi. Ka pasur bisedime, por disi nuk ka funksionuar ende. Në të kaluarën, sinqerisht nuk isha aq i interesuar në garat e qëndrueshmërisë nga perspektiva ime si një konkurrent i vetëm.
Sot e shoh ndryshe. E gjej plotësisht emocionuese, këtë strukturë ekipi, ndarjen e një makine, bërjen e kompromiseve. Në sportet motorike, është e vështirë të thuhet: Unë drejtoj vetëm gjysmën e garave. ‘WEC’ do të ishte në fakt një zgjedhje e mirë me tetë garat, të cilat janë gjithashtu të shpërndara ndryshe nga Formula 1.
Gjithmonë është çështje se sa intensivisht dëshiron të bësh diçka. Për mua, gjithmonë ka qenë rasti që dua ta bëj siç duhet kur përfshihem në diçka. Vetëm të vazhdoj udhëtimin nuk është një moto për mua”, përfundoi Sebastian Fetel.
