Po afrohet gjithnjë e më shumë momenti i Formulës 1 2026, sezoni i rregullores së re që do të ndryshojë rrënjësisht themelet e kategorisë mbretërore dhe premton një rifillim total.
Tashmë ka pasur disa paralajmërime, qoftë përmes tingujve apo ndezjeve të motorëve, dhe ekipet që synojnë të luftojnë për gjithçka po zgjedhin momentin e duhur për të zbuluar konceptet e tyre para botës. Mercedesi dhe Uilliamsi janë të fundit që i shtohen listës së madhe të prezantimeve zyrtare. Shumica e vendosin etiketën e favoritit mbi “shigjetat e argjendta” të Xhorxh Rasëllit dhe Andrea Kimi Antonelit.
Arsyeja lidhet me aftësinë e zakonshme të Mercedesit për t’u përshtatur me rregullore të reja, si dhe me ato “zona gri” që duket se shfrytëzohen maksimalisht në Formulën 1 të re. “Ë17” do të prezantohet më 22 janar, katër ditë përpara fillimit të testeve sekrete në Barcelonë. Mercedes-AMG Petronas F1 ka zgjedhur një prezantim me dy faza për sezonin e ri. Bëhet fjalë për një “parapamje” që do t’i paraprijë me katër ditë nisjes së testeve të para sezonale me dyer të mbyllura në Barcelonë (26-30 janar). Gjatë këtyre testeve, secila nga 11 skuadrat e regjistruara në Kampionatin Botëror 2026 do të ketë në dispozicion 3 ditë totale pune në pistë. Ndërkohë, prezantimi i plotë dhe zyrtar i “Shigjetës së Argjendtë” të re është planifikuar për të hënën, më 2 shkurt, edhe ky në format digjital.
Në event do të marrin pjesë Toto Volf, CEO dhe shef skuadre i Mercedesit, si edhe dy pilotët Xhorxh Rasëll dhe Kimi Antoneli. Gjithashtu, anëtarët kryesorë të ekipit me seli në Angli, do të ofrojnë analiza të detajuara mbi ndryshimet teknike të “Ë17” për sezonin e ri. Përveç ekipit zyrtar, pritshmëritë janë pozitive edhe për skuadrat e tjera që përdorin njësinë e fuqisë së Mercedesit, të cilat në total janë tetë. Gjithsesi, prezantimet në Formulën 1 moderne duhen marrë me rezervë. Shpesh shfaqen makete ose makina që kanë pak ngjashmëri me versionin final, dhe ndoshta vetëm në Bahrejn, kur të gjitha makinat të jenë nën vëzhgimin e publikut dhe mediave, do të zbulohet realisht panorama e plotë.
Madje, edhe testet sekrete në Barcelonë mund të mos zbulojnë gjithçka. Me njoftimet e Mercedesit dhe Uilliamsit, MekLareni mbetet i vetmi ekip pa një datë prezantimi. Kujtojmë se në vitin 2025 ata zgjodhën ta nxirrnin makinën e re me një bojë kamuflazhi, përmes imazheve dhe videove të publikuara në rrjetet sociale.
