Ish-piloti, Ralf Shumaker, tashmë në rolin e tij si analist për “Formel1.de”, ka hapur një tjetër skenar në lidhje me shkakun e shkarkimit të Kristian Hornerit nga Red Bulli. Kështu, pas faktorit “Vershtapen” dhe luftës së egos me figura të rëndësishme brenda ekipit si Helmut Marko, ekziston edhe një lidhje me pushtetin e Hornerit brenda kompanisë.

Ndërveprimi midis politikës dhe sportit është një interpretim i hapur që analistë si Ralf Shumaker beson se shefi britanik e pësoi nga pushteti i madh që krijoi te Red Bulli. “Ai kishte më shumë se kurrë dhe sillej ndryshe dhe prej kësaj u largua”, u shpreh Ralf Shumaker. Horner ishte më shumë sesa thjesht një shef ekipi. Ai formoi mënyrën e punës dhe të marrëveshjes brenda ekipit më të suksesshëm të epokës moderne me tetë tituj kampionë në F1, (4 me Sebastian Fetelin dhe 4 me Maks Vershtapenin). Kjo mund të jetë një nga arsyet pse dy figurat kryesore në krye të Red Bullit, Oliver Mintzlaff, CEO i Projekteve të Korporatave dhe Investimeve të Reja, dhe Chalerm Yoovidhya, bashkëpronar i markës, nuk e pëlqenin më Hornerin. Drejtuesit e lartë të kompanisë e morën vendimin në një takim në “Zoom” dhe ia dhanë lajmin e shkarkimit britanikut. “Gjithçka ndryshoi me vdekjen e Dietrich Mateschitz”, thekson Shumaker, pasi ai ishte figura tjetër kyçe, babai i madh i markës.

“Horner shkaktoi shumë zhurmë dhe fokusi ishte tek ai dhe jo tek ekipi”, përfundon gjermani. Pra, skuadra pushoi së funksionuari sportivisht dhe Horner u la në qendër të vëmendjes, ndërkohë që nga ana tjetër, Maks Vershtapen, kampioni i tij, theksoi se durimi i tij po mbaronte. Situata te Red Bulli mbetet delikate dhe përgjigjet për të ardhmen janë të pakta. Tashmë topi ka kaluar në anën e drejtorit të ri, Laurent Mekies, tek i cili mban shpresat skuadra austriake.

“Ai ka qenë në FIA dhe te Ferrari. Është një zgjidhje e brendshme, por Mekies ka edhe një përvojë të pasur. Ne thjesht po zgjerojmë pozicionin e tij të mëparshëm”, ishte komenti i këshilltarit Helmut Marko për shefin e ri të ekipit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb