Nuk u shpall kampion në Austin, por Lewis Hamilton fitoi garën dhe ‘vuri të dyja duart’ te titulli, që vetëm matematikisht nuk e ka fituar ende.

Britanikut të Mercedez i duhej të fitonte 16 pikë më shumë se Vettel sot, që të shpallej kampion, por gjermani e mbylli në vendin e dytë garën, pavarësisht se titulli është thuajse i pamundur.

Gjermani i Ferrarit bëri një garë spektakolare, veçanërisht në 5 xhirot e fundit, ku rikuperoi edhe 3 pozicione, por do t’i duhet të kënaqet vetëm me faktin se sot regjistroi xhiron më të shpejtë të pistës.

Piloti i Red Bull, Max Verstappen, realizoi një parakalim spektakolar në xhiron e fundit, ndaj Raikkonenit dhe e mbylli garën i 3-ti, por kur po priste të ngjitej në podium, u njoftua për një penalitet prej 5 sekondash dhe u largua për të lënë sërish finlandezin e Ferrarit, që të shkojë në pod.

Nga ana tjetër, Mercedes ka arritur fitojë titullin kampion për konstruktorë, pasi sot shkoi në kuotën e 575 pikëve, plot 147 pikë më tepër se Ferrari.

Gara filloi në mënyrë të shkëlqyer për Vettel, që ndonëse u nis i dyti, arriti të marrë kryesimin, që në start, por pas vetëm 3 xhirosh, Hamilton u rikthye të kryesojë.

I pafat ishte daniel Ricciardo, që u detyrua të braktisë garën e Austinit, që në xhiron e 5-të, për nëj problem në motor, ndërsa edhe Alonso nuk arriti të përfundojë garën.

Pas Çmimit të Madh të Austinit, në SHBA, Hamilton kryeson me 331 pikë, ndërsa Vettel e ndjek me 265. Kur kanë mbetur edhe 75 pikë në lojë, duket e pamundur që gjermani i Ferrarit të rikuperojë diferencën prej 66 pikësh me rivalin e tij, Hamilton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: