Formula 1 është një “pellg peshkaqenësh”. Në pistë përballen grabitqarët më të mëdhenj të timonit, duke ndërtuar rivalitete të pamëshirshme si Hant-Lauda apo Prost-Sena, të cilat kanë mbërritur deri në ekranin e kinemasë.
Por, mes këtij mjedisi ekstremisht konkurrues, ka edhe momente respekti për ata yje që arrijnë t’i çojnë makinat përtej kufijve të tyre realë. Në vitin 2025, kjo ndodhi me Fernando Alonson dhe Maks Vershtapenin. Kampionatet e tyre botërore kanë ngjashmëri, ashtu si edhe pasioni për të pilotuar çdo lloj makine. Dihej se Alonso dhe Vershtapen kanë një marrëdhënie të veçantë, por tani kjo shkon edhe më tej, me objektiva të përbashkëta. Holandezi po sheh përtej Formulës 1, duke u parë shpesh në timonin e makinave GT3 apo duke ndjekur nga afër gara mitike si “Le Mans”.
I pyetur se me kë do të donte të garonte, Maks nuk pati asnjë dyshim: “Preferoj të garoj me Alonson përpara 99% të pilotëve të tjerë”, deklaroi Maks për “Viaplay”. Ai e njeh talentin, betejat dhe nivelin e spanjollit, dhe një skuadër e përbashkët do të ishte një ëndërr. Vershtapen e vlerëson Alonson për talentin, etikën e punës dhe jetëgjatësinë në sport. “Ai është 44 vjeç… unë as nuk e shoh veten në Formula 1 në moshën 34-vjeçare”, theksoi piloti i Red Bull.
Vershtapen ka konfirmuar tashmë se, nëse nuk ka një makinë që e motivon, nuk përjashton një tjetër rrugë në karrierën e tij sportive. Alonso, nga ana tjetër, është i vetëdijshëm se “fisheku i fundit” në Formulën 1 po afrohet. Ëndrra do të ishte një duel i drejtpërdrejtë mes të dyve, si në vitin 2023, me podiume të shumta dhe beteja spektakolare në pista si Zandvort apo Monako.
Nga këto beteja dhe nga niveli i tyre ka lindur një admirim i ndërsjellë. Kjo u pa edhe sezonin e fundit të Formula 1, kur Max pranoi se gjithmonë mbështeste Alonson në luftën për tituj botërorë, ndërsa spanjolli e mbrojti holandezin, duke e cilësuar si më të mirin, në përballjet e tij me dy MekLarenët dominues që kontrolluan kampionatin me “dorë të hekurt” deri në verë.
