Pjesëmarrja e Donald Trumpnë Forumin e Davosit zgjoi interes të madh: Konfliktet globale, politika e SHBA-së si dhe një delegacion i kryesuar nga presidenti Trump rekord do të jenë në qendër të Forumit Ekonomik Botëror.
Takimi zhvillohet në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet të çmontojë rendin ndërkombëtar: nga pezullimi i rregullave të përcaktuara tregtare dhe tërheqja nga organizata të shumta ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e OKB-së për Klimën, deri te arrestimi i Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe kërcënimi për të aneksuar Groenlandën.Fjalimi i Donald Trump të mërkurën në Davos pritet me interes sidomos në sfondin e kërcënimeve të presidentit amerikan, për të marrë ishullin e Groenlandës, që i përket vendit partner në NATO, Danimarkës.
Sulmi i Trump ndaj rregullave ndërkombëtare, që janë në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ndikimi i tij në paqen botërore, politikën dhe ekonominë do të jenë ndër temat qendrore të forumit pesëditor, që u hap më 19 janar nën moton “Në Frymën e Dialogut”.
Përveç Donald Trump, në Davos do të vijnë më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili do të mbajë një fjalim të enjten në Davos. Edhe kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti argjentinas Javier Milei janë në Davos, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa priten gjithashtu në Zvicër.
Delegacion jashtëzakonisht i madh nga SHBA
Trump kryeson delegacionin më të madh amerikan në historinë e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i përbërë nga pesë anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Delegacioni përfshin Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të Dërguarin Special Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. Kjo përgatit terrenin për bisedime të nivelit të lartë mbi Ukrainën, Venezuelën dhe Rripin e Gazës. Irani, ku dëshmitarët okularë raportojnë një shtypje brutale të protestave antiqeveritare, ka të ngjarë të jetë gjithashtu në agjendë.
Në kuadrin e këtij samiti, Trump pritet të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e G7 të Kievit – përfshirë krerët e shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian – për të siguruar mbështetjen e SHBA-së për garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.
Prania e fortë e SHBA-së përforcohet edhe nga fakti se këtë vit, për herë të parë, në Davos ka një “Shtëpi të SHBA-së” – një vend për evente në një kishë të vogël në shëtitoren kryesore, ku përfaqësuesit e SHBA-së do të zhvillojnë takime për të vendosur kontakte me investitorë.
Organizata, e cila ekziston që nga viti 1971, synon të promovojë dialogun, por vetë po përballet me vështirësi, pasi multilateralizmi dhe tregtia e lirë kanë humbur rëndësinë.
/DW
